Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën dëgjimore me kandidatin për Kryeprokuror, Olsian Çelën. Hetimi për prokurorin e Krimeve të Rënda është kryer në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës.
Olsian Çela, kandidat për Prokuror të Përgjithshëm doli të premten për seancën dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i pashoqëruar me avokat mbrojtës.
Trupa Gjykuese e përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici ka vlerësuar pozitivisht për tre kritere prokurorin e Shkallës së para për Krimet e Rënda. Për pasurinë, Komisioni i ka kërkuar shpjegime Çelës për një hua, vlerën e marrë nga nëna dhe një shumë prej 1 milion lekësh të përfituar si dëmshpërblim për aksidentin me pasojë vdekjen e babait.
Sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, Çela nuk ka pasuri të fshehur. Nga verifikimet ka rezultuar se kandidati për Prokuror të Përgjithshëm ka blerë një apartament 77 m2 në “Don Bosko”, në 2015 në vlerën e 77 mijë e 500 euro.
Ndërkohë Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është shprehur se për Olsian Çelën nuk ka prova, dyshime dhe të dhëna se ai mund të ketë njohje me persona të krimit të organizuar. Nga raporti i Prokurorisë së Përgjithshme Çela është me aftësi shumë të mira profesionale, në drejtim dhe menaxhim të institucionit të akuzës.
Olsian Çela ishte i vetmi që ende nuk i ishte nënshtruar procesit të Vetting-ut, duke mbajtur peng kështu garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Çela ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa e ka drejtuar atë në vitet 2008-2012.
Më herët kandidati për Prokuror të Përgjithshëm ka hetuar disa dosje të bujshme në vend si ajo e Mirit të Xhikes, Xibrakën dhe grabitjen e parë në Rinas të ndodhur në vitin 2015. Vendimi përfundimtar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të jepet mesditën e 23 Korrikut për Çelën./ABC News Albania 24/7