Kallëzim penal për kryebashkiakun e Kavajës

schedule12:02 - 15 Prill, 2019

schedule 12:02 - 15 Prill, 2019

Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja. Kryebashkiaku akuzohet për shpërdorim detyre në dhënien e lejeve të ndërtimit për 7 objekte.

E paralajmëroi kryeministri Edi Rama rreth dy javë më parë se Prokuroria do t’i trokiste së shpejti në zyrë. E vetë kryebashkiaku i Kavajës vendosi t’ia hapë derën me një reagim të tij në rrjetet sociale.

“Sa për prokurorinë, ti dhe kushdo tjetër e ka derën e Bashkisë Kavajë të hapur”!

Koha për të trokitur erdhi. Është Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit që ka dorëzuar kallëzimin penal jo vetëm për kryebashkiakun Isa Sakja, por edhe për drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qato si dhe Kryeinpektorin e IMT së Bashkisë Kavajë, Dritan Kazazi.

Akuzohen për shpërdorim detyre.

“Këta zyrtarë me veprimet dhe mosveprimet e tyre në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe në ushtrimin e funksionit të kontrollit të ligjshmërisë në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe, kanë cënuar territorin dhe interesin publik”.

Isa Sakja është zgjedhur me votat e opozitës për të drejtuar Bashkinë e Kavajës./abcnews.al