Kalaja: Humbje e gënjeshtërt me Kukësin, ju tregoj pikën e fortë të Brdaric

schedule15:58 - 14 Janar, 2021

schedule 15:58 - 14 Janar, 2021

Arlind Kalaja u rikthye në verë te Vllaznia, pas eksperiencave me Kukësin, Kastriotin dhe Teutën. Hapësirat me kuqeblutë i ka pasur të vogla dhe kjo ka ndodhur edhe për shkak të një dëmtimi. Ditën e sotme sulmuesi anësor ka dalë në konferencë për shtyp për të folur në prag të sfidës me Kukësin.

Fillimisht Kalaja ka folur për aspektin personal: “Pak para fillimit të sezonit kam patur një dëmtim që më ka marrë jo pak kohë. Por di të them se gjatë gjithë kësaj periudhe kam patur mbështetjen e gjithë stafit dhe në momentin që jam kthyer, janë munduar të më japin minutat që kisha nevojë dhe tani jam gati për të luajtur”.

Më pas Kalaja foli për Vllaznia dhe rezultatet pozitive: “Ecuria e deritanishme është meritë e grupit, e stafit teknik, e bordit drejtues. Në ekip ekziston një atmosferë shumë e mirë, jemi një grup shumë i lidhur dhe kjo transmetohet shumë qartë edhe në fushën e lojës sepse është e dukshme. Uroj që këto rezultate të vazhdojnë kështu dhe të arrijmë objektivat e ekipit”.

PËRBALLJE ME TË SHKUARËN – “Po është e vërtetë që kam qenë pjesë e Kukësit më parë, por nga ajo periudhë thuajse nuk ka mbetur asnjë lojtar, është vetëm Vesel Limaj, i cili edhe ai nuk e di nëse do të jetë gati për nesër. Unë e pres me shumë dëshirë ndeshjen dhe uroj që të dalim fitimtarë prej fushës”.

HUMBJA NË SHKODËR – “Mendoj se ndeshja e fazës së parë kur na mundi Kukësi në Shkodër, ka qenë një ndeshje episodesh dhe rezultati nuk ka treguar fytyrën e vërtetë të ndeshjes. Absolutisht që e kemi përgatitur mirë ndeshjen e nesërme. Ajo e kaluara na ka bërë mirë sepse e kemi njohur më mirë kundërshtarin, por i dimë aftësitë tona dhe nuk duam të mendojmë më për të shkuarën, por për të ardhmen”.

TRAJNERI BRDARIC – “Unë mendoj se një ndër cilësitë ndryshe që ka trajneri ynë, është komunikimi, mënyra si në flasim me njëri- tjetrin dhe si ai na bën të ndihemi. Na lejon të shprehemi lirshëm në fushën e lojës dhe ky mendoj se çelësi i suksesit, komunikimi dhe mënyra si punon me ne në anën psikologjike, por edhe në atë taktike, teknike e tjerë”, përfundoi Kalaja. /abcnews.al