Shkrimtari dhe studiuesi Met Dervishi, ka kujtuar shkrimtarin e ndjerë, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut.
Ai ka zbuluar për ‘ABC News’ se dikur e ka pasur profesor Kadarenë dhe studentët nga grupet e tjera bashkonin për të dëgjuar leksionet e tij, pasi ishte një dritare lidhëse me botën.
Sakaq, Dervishi ka theksuar se shqiptarët po ndahen sot, me me pararendësin e emancipimit tonë kombëtar.
“Kadareja është një pikë referimi për të gjithë shqiptarët. Kam qene student në vitet ’70 dhe Kadareja më ka dhënë leksionet e letërsisë botërore, më ka dhënë disa kurse rresht. Kadareja për brezin tim ishte një dritare që na lejonte për të kuptuar se çfarë ndodhte përtej Shqipërisë, sidomos çfarë ndodhte në Perëndim. Fakti që ky jepte letërsinë botërore, i bënte leksionet interesante dhe vinin nga degët e tjera, sepse ishin padiskutim leksione interesante dhe flitesh për emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore, të cilët këtu ishin të ndaluar. Pra, në një farë mënyre Kadareja duke bërë kritikën të atyre autorëve, i sillte ata në kulturën shqiptare më tiparet e tyre, veçoritë e tyre dhe teknikat e tyre artistike.
Sot është një ditë zije për shqiptarët, pasi po ndahen me pararendësin e emancipimit tonë kombëtar dhe ne po ndahemi si një komb i pjekur me të, ne këtu, në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo ku ka shqiptarë. Kjo tregon që jemi një komb që kemi arritur në fazën e pjekurisë dhe kjo dhe falë Kadaresë”, u shpreh studiuesi./abcnews.al



