Juristët e Ramës të ndarë për Valdrin Pjetrin, skenarët për 21 Gushtin

schedule15:34 - 15 Gusht, 2019

schedule 15:34 - 15 Gusht, 2019

Rasti i Valdrin Pjetrit e ka vendosur në një vështirësi të rrallë Partinë Socialiste. Kryeministri dhe rrethi i juristëve të tij po diskutojnë të gjithë skenarët se si kandidati fitues të dalë jashtë skenës politike, me sa më pak kosto për partinë që për herë të parë ishte një hap larg qeverisjes lokale të Shkodrës.

Dilema vërtitet rreth datës 21 Gusht, ditë kur parashikohet të konstituohet këshilli i ri bashkiak. Por a do të betohet dhe Valdrin Pjetri? Në PS, disa me mendojnë se betimi i tij është forma e vetme për të nxjerrë Voltana Ademin nga zyra e kryebashkiakes.

Në vijim të këtij skenari, një pjesë e juristëve socialistë sugjerojnë që Pjetri të betohet, të emërojë një nënkryetar dhe të dorëhiqet. Më pas, Këshilli Bashkiak sipas ligjit e mandaton këtë nënkryetar të ushtrojë funksionet e kryetarit deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Po betimi i Valdrinit do të sillte një acarim të klimës politike dhe do të kthehej në kosto edhe më të rëndë për Partinë Socialiste. Ndaj, një mendim tjetër mes socialistëve është që Pjetri të mos e bëjë fare betimin, por të deklarojë dorëheqjen paraprake.

Ky skenar sugjeron që në 21 Gusht të mandatohet vetëm Këshilli Bashkiak dhe ky këshill të caktojë si kryetar të përkohshëm një prej nënkryetarëve aktualë të bashkisë Shkodër.

Por edhe ky skenar e ka një risk. Voltana Ademi mund të mos largohet kurrë nga zyra, nëse Pjetri nuk bën betimin, duke cituar nenin 60 pika 4 e ligjit për qeverisjen vendore, që thotë:

“Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.

Ndryshe nga ligji për qeverisjen vendore, Kodi Zgjedhor përcakton limitin kur mbaron mandati i kryebashkiakut.

Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Për zgjedhjet e vitit 2015, KQZ shpalli rezultatet më 10 Gusht të atij viti dhe sipas kësaj formule, mandati i Voltana Ademit si kryebashkiake e Shkodrës do të duhej të përfundonte më 10 Gusht 2019. Çfarë vështirëson akoma më shumë konfliktin ligjor është se të dyja normat kanë të njëjtën hierarki dhe miratohen me 3/5 e votave në Parlament.

Socialistët duhet të marrin shpejt një vendim, por këtë e vështirëson fakti se janë të vetëdijshëm që Ilir Meta ka pak shanse të dekretojë një datë të re zgjedhjesh të pjesshme në Shkodër./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!