Jonuz: Nuk merrem më me arbitrat, kam një porosi për lojtarët e tifozët

schedule17:54 - 7 Nëntor, 2019

schedule 17:54 - 7 Nëntor, 2019

Java e 12-të e Kategorisë Superiore nis nesër me duelin Tirana-Vllaznia. Kjo përballje do të luhet pa tifozë, por mbetet klasikja e futbollit shqiptar pavarësisht problemeve që kanë hasur këto dy skuadra vitet e fundit. Kuqeblutë vijnë në këtë ndeshje nga dy humbje rresht dhe do të tentojnë të mos dalin pa pikë.

Mirsad Jonuz është dënuar me dy ndeshje pezullim për shkak të protestave kundër arbitrit në ndeshjen kundër Bylisit dhe nuk do të jetë i pranishëm në pankinë. Trajneri i ekipit shkodran prek disa tema gjatë konferencës për shtyp, teksa ka një mesazh për tifozët dhe lojtarët e ekipit.

SITUATA – “Duhet të bëjmë çdo gjë për ta kaluar këtë situatë ku jemi futur. Për mua është mëkat që do të luajmë pa tifozë. E njoh mirë Tiranën. Edhe ata kanë ndryshuar trajner dhe mënyrën e lojës. U kam kërkuar lojtarëve që të mos dekurajohen, por të luajnë edhe më fort. Kjo është krizë rezultatesh, por jo e gjendjes fizike të lojtarëve. Si skuadër luajmë më mirë jashtë, ndaj do të përpiqemi të marrim pikë edhe ndaj Tiranës”.

KUNDËRSHTARI – “Përballja me Tiranën është një sfidë shumë e madhe për lojtarët e mi. Besoj se janë të gatshëm që, pas dy humbjeve të fundit, të reagojnë. Kërkoj prej tyre të japin gjithçka nga vetja. Kam një mesazh edhe për tifozët: duhet të na përkrahin më tepër në këto momente të vështira”.

RIKTHIMET – “Për ndeshjen e radhës kthehet Gurishta, Ramadani dhe Hygor. Kur të mungojnë kaq shumë lojtarë është e vështirë për çdo skuadër. Tani e tutje do të vazhdojmë të përqendrohemi vetëm te ndeshjet. Nga sot nuk do të bëjmë asnjë koment ndaj vendimeve të federatës apo të arbitrave. Këto gjëra do t’ia lëmë personelit drejtues të klubit”.

FORMACIONI – “Të shohim se cilët lojtarë do të luajnë titullarë ndaj Tiranës. Kemi disa prej tyre me dy apo tre kartonë të verdhë. Kampionati nuk përfundon pas ndeshjes me Tiranën, duhet t’i bëjmë disa llogari, ndaj mos më pyesni për formacionin e nesërm”.

PEZULLIMI – “Para ndeshjes do ta përgatisim skuadrën. Marrëdhënia ime me ndihmësit është e ngushtë. Do të jemi në njëlloj kontakti gjatë lojës. Mendoj se edhe në këto kushte, lojtarët e dinë se çfarë kërkoj unë dhe do të dinë si të reagojnë në varësi të situatave”.

KTHESA – “Duhet të gjejmë zgjidhje dhe ta heqim nga koka këtë lloj frike. Lojtarët nga Shkodra duhet ta heqin nga vetja kompleksin e inferioritetit. Kam biseduar me lojtarët e mi. U kam thënë luani futboll, edhe nëse humbni 5-0. Vllaznia duhet të luajë si në ndeshjet e mëparshme dhe do të ketë sukses”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!