“Jetojnë në banesat e rrezikshme”, banorët në Durrës: Nuk kemi para për të paguar qiranë

schedule16:50 - 29 Janar, 2020

schedule 16:50 - 29 Janar, 2020

Në Durrës janë të shumtë banorët që jetojnë në pallatet e dëmtuara, që duhet të rivlerësohen nga ekspertët. Ata e thonë qartë për mikrofonin e “ABC News” e nuk kanë asnjë mundësi ekonomike të marrin banesa me qera dhe bonusi nuk iu ka dalë. Disa banorë tregojnë gjithashtu se si e përjetuan tëmetin mbrëmjen e së martës.

Ata kanë grisur kordonin e vendosur nga grupi i parë i ekspertëve për shkak të mungesës së besimit dhe janë futur brenda, duke rrezikuar jetën.

“Banoj në katin e tretë, ekspertë nuk kemi parë deri më sot. Kryqin e verdhë e kanë vendosur kot. Edhe inxhinierët nga Tirana thanë që do të shembet. Edhe letrën që kemi marrë, e kemi me strukturë të dëmtuar rëndë”, thotë një prej banorëve.

Një banore që ndodhej në banesën e rrezikshme tregon si e përjetoi tërmetin e së martës.

“E kam shtëpinë në katin e pestë, si mund të jetohet këtu, është çarë i gjithë pallati”, thotë ajo.

Duke qenë se nuk kanë ku shkojnë, edhe bonus nuk kanë përfituar, ata thonë se janë të detyruar të jetojnë në banesat e dëmtuara pavarsisht rrezikut.

“Kolonat janë hapur si trëndafil”, shprehet një nga qytetarët, ndërsa një tjetër banor thotë se kati i parë nuk ka kolona fare.

Ndërkohë tërmeti i të martës u riktheu frikën.

“Gjith frikë, kur ra tërmeti mbrëmë kemi parë tmerr me sy”, tregon një qytetare.

Ka edhe banore që kthehen në momente të caktuara për kryerejen e nevojave personale.

“Zbritëm dhe shkuam për të bërë dush se atje ku rrimë në shtëpi me qera nuk mund të zhvishem në një dhomë që më ka lëshuar i zoti i shtëpisë”, thotë një i moshuar.

Si këta banorë janë me qindra që janë të detyruar të qëndrojnë në banesat e dëmtuara për shkak se nuk kanë të ardhura për të paguar shtëpinë me qira./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!