“Jemi në një situatë lufte,” Panariti: Përfshirja e SHBA-ve në çështjen e targave mund të sjellë një marrëveshje mes palëve

schedule20:21 - 22 Nëntor, 2022

schedule 20:21 - 22 Nëntor, 2022

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pranoi sot propozimin e SHBA-ve për të shtyrë me 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Për ish-ministrin e Jashtëm Edmond Panariti këto orë do të shfrytëzohen për të arritur një marrëveshje përfundimtare. I ftuar mbrëmjen e së martës në “Radari Informativ” në ABC, ish-ministri tha se që në zanafillë takimi në Bruksel ishte i paragjykuar.

Ai kujtoi se presidenti serb Aleksander Vuçiç kishte deklaruar se po shkon në takim vetëm që të mos përflitej Serbia, por jo se kishte pritshmëri që do të arrihej një gjuhë e përbashkët.

Ndërsa tha se Kosovës historikisht i është bërë persion ndërsa Serbisë nuk i kërkohet llogari, Panariti shtoi se jemi në një situatë lufte dhe kritike për të gjithë rajonin. Po ashtu, ai u shpreh optimist se me përfshirjen e SHBA-ve në dialog, situata mund të shkojë drejt gjetjes së një zgjidhjeje.

“Shpresoj dhe uroj në një ndikim më të madh të SHBA-ve në rajon. SHBA duket më pro Kosovës sesa BE, që edhe proceset e nisura po i finalizon me vonesë. Angazhimi amerikan është i mirëpritur. Jam i lumtur që kemi një angazhim më të madh amerikan, presioni pozitiv i SHBA-ve mund të krijojë një marrëveshje që shpresoj të jetë e qëndrueshme.” 

Por, çfarë do të ndodhë nëse 48 orët nuk do të mjaftojnë për arritjen e një marrëveshjeje? Panariti vërejti se mund të kërkohet akoma më shumë kohë.

“Do të kërkohet që të fitohet kohë sërish. As SHBA e as BE nuk do të lejojnë që aty të kemi situata tensioni. Në 24 orë, jam i sigurt që edhe tani po diskutohet për të gjetur një rrugëdalje.” 

Sipas tij, situata e tensionuar në veri të Kosovës mund të jetë një lojë e Rusisë, e cila siç u shpreh ai, përmes Serbisë po kërkon që të krijojë vatra destabilizimi në rajon.  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!