“Jemi në fillim të betejës”, Berisha: Ndërkombëtarë mos e mbështesni Ramën, s’do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë

schedule18:51 - 12 Nëntor, 2022

schedule 18:51 - 12 Nëntor, 2022

Sali Berisha deklaroi sot para protestuesve se “janë në fillim të betejës së tyre” kundër qeverisë së Edi Ramës. Berisha tha se Rama dhe qeveria do ta marrë përgjigjen nga populli.

“Jemi në fillim të betejës tonë të madhe. Edi Rama është në një ordiner që kalon me gjuhën më të ulët. Kemi konstatuar dhe keni parë si flet në parlament dhe bën të skuqem me fjalorin e tij, çdo prind. Për atë gjuhë ne mund të të përgjigjemi Edi Rama, por vendimi është marrë. Atje do vijë gjykatësi sovran. Do vijnë këta, priti aty se i kanë dy fjalë me ty. Populli i ka dy fjalë me ty.”

Ndërkohë Berisha pati edhe një mesazh për ndërkombëtarët, duke u kërkuar që të mos e mbështesin regjimin e Edi Ramës. Sipas Berishës Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve.

“Dy fjalë për miqtë, partnerët e Shqipërisë. Opozita shqiptare ka trashëgiminë më të shkëlqyer të bashkëpunimit me ju. Vendet anëtare të BE, vendet anëtare të NATO-s, partneri strategjik i shqiptarëve, SHBA, të gjithë ato që keni ndërtuar, bazuar mbi vlerat që ndani, mbi votën e lirë, mbi lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Kushtetushmërinë, zbatimin e ligjit. Sot, ju bëj thirrje: mos mbështesni regjimin e Edi Ramës, sepse Edi Rama është armik i votës së lirë të shqiptarëve. Çdo mbështetje për të, është dështim për shqiptarët. Sikundër nga ky shesh, duhet t’ju deklaroj se Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve. Stabiliteti dhe vota, stabiliteti dhe besimi, stabiliteti dhe e ardhmja, do jenë të pandara.” tha Berisha.

/abcnews.al/