Javët Ndërkombëtare të Kulturës, Rama: Do nxisë konkurrencë mes ambasadorëve për të bërë prezent vendin e tyre në Shqipëri

schedule20:32 - 25 Prill, 2022

schedule 20:32 - 25 Prill, 2022

Nga data 25 prill nis programi i javëve kulturore në Shqipëri me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 18 vende të botës.

Arti, kultura dhe promovimi i kulturave të 18 vendeve ndërkombëtare do të jenë në fokus të këtij projekti. Nga sheshi “Skënderbej, kryeministri i vendit Edi Rama tha se është i lumtur që aktiviteti do të filloje me Francën, pas fitores historike të Macron.

Në fjalën e tij kryeministri tha se ky është një program, që synon të nxisë ura bashkëpunimi me vendet ndërkombëtare dhe për më tepër do të ndezë konkurrencën mes vetë ambasadorëve. Sipas tij, përfaqësitë e huaja do dëshirojnë që ta bëjnë sa më shumë prezent vendin e tyre në Shqipëri.

Lexo edhe: Javët Ndërkombëtare të Kulturës, Rama: Synojmë të rrisim interesin e të rinjve  

Rama: Sot  ne startojmë programin e ri të javëve ndërkombëtare të kulturës, një program që synon të sjellë në vendin tonë kultura, aktivitete, artistë, njerëz të fushave të ndryshme por edhe tradita e të festuarit, gatimit në Tiranë dhe jo vetëm. Është një program që do t’i japë mundësinë qytetarëve që të mund të shijojnë aktivitete të natyrave nga më të ndryshmet. Në këtë program ka një rëndësi jashtëzakonisht të veçantë krijimi i sa më shumë urave të njohjes, i sa më shumë urave të eksperiencave nga më të ndryshme dhe urave të bashkëpunimit. Qëllimi nuk është të konsumojmë aktivitet e qe fillojnë e mbarojnë, por të krijojmë mundësi për njerëzit tanë në të gjitha ato fusha që prej ky program që pastaj të vazhdojnë me bashkëpunimet e tyre.

Do fillojë të ndezë konkurrencë mes vetë përfaqësive këtu, mes vetë ambasadorëve për të bërë sa më shumë prezent vendin e tyre dhe për të sjellë sa më shumë larmi në javët ndërkombëtare të kulturës. Ky program synon të kthehet në traditë. Ky është fillimi i një aventure të re kulturore. Franca është ajo që e hap këtë program. Sot ne të gjithë jemi këtu pas një dite të shënuar në Francë, Macron është jo vetëm Presidenti i Francës por dhe një prej shtyllave mbajtëse të gjithë BE-së. Ne të gjithë jemi të gëzuar nga rezultati i djeshëm në Francë.

Programi do të ndërpritet në muajt korrik-gusht dhe do të rifillojë në shtator. Ministrja Margariti bëri me dije se do të mbyllet me Kosovën në nëntor, në ditën e Festës së Flamurit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!