Superiorja vijon rrugëtimin dhe ndeshjet e javës së 29 dhe plani fillestar i FSHF-së është që dueli i parë të zhvillohet të premten prej orës 18:00. Teuta-Tirana është dueli i shumëpritur, shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat. Durrsakët duan titullin, bardheblutë Europën, ndaj priten 90 minuta të luftuara.
Të shtunën më pas do të luhen katër përballjet e tjera, me Partizani-Kukësi që tërheq më së shumti vëmendjen dhe është veçuar të zhvillohet prej orës 19:00 në stadiumin “Air Albania”. “Demat” duan të vazhdojnë garën për titull, kurse Kukësi i beson matematikës për Europën.
Kastrioti-Laçi është një tjetër finale, që zhvillohet në Kamzë prej orës 16:00. Krutanët pas humbjeve të fundit duan të reagojnë dhe e kanë detyrim, duke pasur parasysh që Bylisi luan me Apoloninë e vendit të fundit në shtëpi dhe mund t’u afrohet në renditje këtë fundjavë.
Laçi nga ana tjetër do fitoren e dytë radhazi dhe shpreson që rivalët të ngecin këtë javë dhe diferenca me to të ndryshojë. Vllaznia njëlloj, pasi synon tre pikët me Skënderbeun në shtëpi dhe ndonjë ndalesë e rivalëve do të ishte e mirëpritur në kampin shkodran. / abcnews.al