“Japim maksimumin ndaj Partizanit”, Latifi: Rinovimi nuk është në dorën time

schedule14:38 - 30 Mars, 2022

schedule 14:38 - 30 Mars, 2022

Vllaznia do të luajë me Partizanin gjysmëfinale e parë të Kupës së Shqipërisë, takim që do të luhet ditën e nesërme në orën 17:45 në “Elbasan Arena”.

Në konferencën për shtyp së bashku me trajnerin Elvis Plori ishte i pranishëm edhe Liridon Latifi, i cili analizoi sfidën me demat e kryeqytetit.

Ndër të tjera sulmuesi i shkodranëve foli edhe për të ardhmen e tij te Vllaznia, ndërsa u shpreh se për momentin akoma nuk ka asgjë për rinovimin e kontratës.

“Rikuperimi? Normalisht kam një javë që stërvitem me skuadrën. Jam i gatshëm për sfidën me Partizanin, gjithçka është ‘OK’ dhe shpresoj ta shfaq nivelin edhe në fushë”, tha fillimisht Latifi.

Vllaznia ka fituar tre herë kundër Partizanit dhe synon të përsërisë të njëjtën gjë. “Kemi punuar gjatë gjithë javës, që të marrim rezultat maksimal. Siç e tha edhe profesori, ne futemi në fushë gjithmonë për rezultat maksimal dhe shpresojmë ta arrijmë këtë gjë”, shtoi sulmuesi i Vllaznisë.

A do jetë vendimtar Latifi? Liridoni u shpreh kështu: “Shpresoj që po, do jap maksimumin. Nuk e di çfarë të them. Shpresoj që të jem vendimtar sërish dhe të jem lojtar që ta ndihmoj skuadrën”.

“Kupa? Me Skënderbeun nuk e kam fituar asnjëherë kupën dhe shpresoj që këtë sezon, synimi im është që të paktën ta fitoj Kupë e Shqipërisë. Do bëjë maksimumin e gjithë skuadra që ta arrijmë këtë”

“Rinovimi? Nuk kemi nis ndonjë bisedim sepse jemi në fazën më të vështirë të kampionatit dhe kemi menduar vetëm për ndeshjet e radhës dhe nuk po kemi kohë të merremi me këto muhabete. Mendoj që ka kohë për këtë muhabet. Qëndrimi? Kjo nuk është në dorën time, është në dorën e drejtuesve, nuk e di, ata duhen pyetur”, përfundoi Latifi. /f.a/abcnews.al