Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer ironinë për opozitën teksa po mban fjalën në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2025. Kreu i qeverisë tha se disa të vetëshpallur si shpëtimtarë të pensionistëve kanë marrë një rrugë të zhurmshme për t’u shitur pensionistëve dhe shqiptarëve përralla.
Më tej, Rama bëri edhe një krahasim se si kanë ndryshuar pensionet nga qeverisja e mëparshme.
“Është bërë shesh për përshesh dhe lloj spekulante nga ata që janë vetëshpallur si shpëtimtarë të pensionistëve dhe kanë nxjerrë në pazar qylymat flutues të Sudes dhe Rrapushit. Herë me fytyrën e rrudhur nga rënia prej fikut të pushtetit dhe herë me fytyrën e padjersitur akoma por plot oreks për pushtet, këta shitës qylymash fluturues kanë marrë rrugët në një përpjekje të zhurmshme për t’u shitur pensionistëve qylyma dhe shqiptarëve në tërësi një tufë përrallash.
Ndërkohë që këto Sude dhe Rrapushë do të na ndihmojnë për ta bërë shumë të qartë dallimin mes ecjes tonë të mëtejshme në rrugën e shtetbërjes evropiane të Shqipërisë, dua të sjell këtu vetëm një nga shumë fakte të punës së mirë që kemi bërë në këto vite si shumicë qeverisëse edhe për pensionet. A e dini se mësueset me 38 vite pune, që kanë dalë në pension përpara se të vinim në qeveri e merrnin pensionin rreth 23 mijë lekë ndërsa çdo mësuese me të njëjtat vite pune që ka dalë në pension pas 2014 e ka pensionin rreth 36 mijë lekë. Po për të njëjtat vite pune dhe kontribute në sigurimet shoqërore, një mjek me 40 vite punë i dalë në pension para 2014, me pension maksimal 24 mijë lekë plus indeksimet merr 35 mijë lekë. Ndërsa mjekët e pensionuar pas 2014 e kanë sot pensionin 51 mijë lekë.
Njëjtë për gjyqtarët dhe ekonomistët. Ata të pensionuar para kësaj dekade, dalë në pension në atë 24 mijë lekëshin tavan, sot marrin 35 mijë falë indeksimeve ndërsa gjyqtarët dhe ekonomistët e pensionuar gjatë qeverisjes tonë, falë reformës së 2014, e kanë pensionin 53 mijë. “, tha Rama./abcnews.al