“3 gjyqtarë, nga 2 mijë €”! Abc News zbardh përgjimet e korrupsionit të gjyqtares, negociatat mes sekserit, avokatit, burrit dhe vëllait

schedule13:55 - 10 Shtator, 2020

schedule 13:55 - 10 Shtator, 2020

Nga Xhensila Kodra

Një përgjim i zhvilluar mes Nejton Balit dhe nënës së tij Afërditës, për të nxjerrë nga burgu të vëllain, Orionin, çoi në zbulimin e një afere korruptive në sistemin e drejtësisë. Në dosjen e siguruar nga ABC News, konstatohet se biseda mes tyre është zhvilluar më 7 korrik të këtij viti, pasi gjykata e Pogradecit kishte lënë në qeli Orion Balin dhe bashkëpunëtorin e tij, me akuzën “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Gjatë përgjimit, Nejton Bali i tregon nënës se kishte biseduar me të vëllanë, Orionin dhe se avokati Skënder Demiri kishte dhënë garanci që kundrejt shumës 6 mijë euro do ta lironte nga qelia në Apelin e Korçës.

Lexo edhe: Biseda e vëllait të trafikantit me nënën: Duhen 6 mijë euro ose 10 vite burg

Kërkon 6 mijë euro si fillim, për ta nxjerrë arrest shtëpie. Edhe 4 mijë euro shkojnë 10 mijë euro. Burri i huaj do 6 mijë euro si fillim, pasi ka tre gjyqtarë dhe nga dy secili, për mos llogaritur më pas edhe Skënderit”. Nejtoni i thotë të ëmës se duhen brenda dy ditësh, ose në të kundërt i vëllai rrezikon 5 deri në 10 vite burg.

Lexo edhe: Pronari i hotelit në Korçë ura e avokatit të trafikantit me gjyqtarët: Kam njohje personale

Pas kësaj bisede, oficerët e Policisë së Shtetit dhe SPAK mbajtën nën përgjim dhe vëzhgim personat e dyshuar që do të bashkëpunonin me avokatin për të dorëzuar shumën e parave. Mes tyre ishte edhe dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, Arben Cara, bashkëshorti i gjyqtares Mimoza Markgjeka.

Kjo e fundit, pas hedhjes së shortit ishte një nga tre gjyqtarët e çështjes, së bashku me dy kolegët, Etleva Temon dhe Olsi Xhavellën. Përgjimet zbuluan se avokati Demiraj bisedon me Klaudjo Zhilla, pronar i një hoteli në Korçë dhe sekseri që ndërmjetësoi që avokati të takohej me bashkëshortin e gjyqtares.

Lexo edhe: Avokati: Futa miq me peshë, sill lekët! Sekseri: Dy i kam miq

Takimet janë zhvilluar në datat 27 dhe 28 në biznesin e Zhillës, ku është dorëzuar edhe shuma prej 6 mijë eurosh, që sipas prokurorisë kjo gjë është e dokumentuar me pamje filmike. Madje në një nga përgjimet e zhvilluara mes avokatit dhe sekserit, ky i fundit i tregon se ishte takuar me gjyqtarin Olsi Xhavella dhe se i kishte thënë “Është e vështirë, ta shoh e të kthej përgjigje”.

Lexo edhe: Gjyqtarja u “kyç” në shtëpi se ka fëmijë të mitur, avokati për shkak të moshës

Më datë 29 korrik, ashtu siç edhe ishte garantuar nga avokati Demiraj se gjithçka kishte shkuar mirë, Apeli i Korçës ndryshoi masën e sigurisë nga arrest në burg në garanci pasurore 5 milionë lekë për Orion Balin.

Për këtë çështje, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë arrest shtëpie për gjyqtaren e Durrësit, Mimoza Markgjeka dhe e komanduar 5 muaj më parë në Apelin e Korçës, për shkak se ka një fëmijë të mitur, si dhe për avokatin Skënder Demiraj për shkak të moshës së tij. Ndërsa arrest në burg u caktua për bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara, sekserin Klaudjo Zhilla dhe vëllain e të arrestuarit, Nejton Balin. Burimet sqaruan se për dy gjyqtarët e tjerë nuk është caktuar asnjë masë sigurie, pasi nuk është faktuar që mund të kenë përvetësuar para. db/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!