Ja si Putin po përfiton nga përçarja e Europës mbi qasjen ndaj Rusisë

schedule14:00 - 23 Qershor, 2022

schedule 14:00 - 23 Qershor, 2022

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ishte një moment euforik shumë i nevojshëm kur më 16 qershor udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë, vizituan së bashku Ukrainën dhe shprehën mbështetjen për aplikimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Gjithçka që duhet tani është një “po” unanime nga liderët evropianë që do të takohen në Bruksel në datat 23 dhe 24 qershor.

Anëtarësimi i Ukrainës është ende shumë larg. Por psikologjikisht dhe politikisht, kjo është ajo që i nevojitej presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa ushtria ruse po shkatërron Ukrainën Lindore, po deporton me forcë në Rusi mijëra fëmijë, dhe po zhvillon një fushatë  propagandistike intensive në zonat që janë aktualisht nën kontrollin e saj.

Përsa i përket reagimit ndaj anëtarësimit të ardhshëm të Ukrainës në BE, Kremlini shpërfilli ndryshimin e marrëdhënieve midis Kievit dhe Brukselit. Dhe kjo sjellje nuk është e habitshme. Presidentit rus Vladimir Putin i mjafton të shohë zhvillimet politike dhe ekonomike në Evropë, për të parashikuar se si po ndryshojnë shanset e tij.

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Francë, në të cilat presidenti Emmanuel Macron e humbi shumicën e tij absolute, do t’i vendosë çështjet e brendshme në krye të agjendës së Parisit. Një nga udhëheqësit e opozitës është tani Jean-Luc Mélenchon, një politikan i krahut të majtë, që njihet për pikëpamjet e tij anti-amerikane, euroskeptike dhe miqësore ndaj Kremlinit, raporton abcnews.al.

Tjetra është Marine Le Pen, udhëheqëse e Tubimit Kombëtar, që doli shumë mirë në këto zgjedhje, dhe që tani e dominon të djathtën ekstreme. Në Berlin, zëvendës-kancelari i të Gjelbërve dhe njëherazi Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, njoftoi rihapjen e impianteve të qymyrit, për të kompensuar pasojat e vendimit të Rusisë për të reduktuar ndjeshëm furnizimet me gaz.

Mjafton të mendoni se çfarë do të mendojnë votuesit e gjelbër për këtë lëvizje. Ndërkohë në Romë, koalicioni i kryeministrit Mario Draghi është shumë i përçarë në lidhje me çështjen e dërgimit të armëve në Ukrainë. Ka një fije të përbashkët që lidh Berlinin, Parisin dhe Romën.

Ajo ka të bëjë me marrëdhëniet e tyre me Rusinë. Udhëheqësit e këtyre 3 vendeve anëtare dhe themeluese të BE-së, nuk duan ta pranojnë se Evropa është de fakto në luftë me Rusinë. Disa vende po dërgojnë sisteme armësh në Ukrainë. Edhe BE-ja po e bën këtë si institucion.

Megjithatë, presidenti francez Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri italian Mario Draghi, preferojnë ta shohin pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia si një krizë të marrëdhënieve me Moskën, e cila mund të riparohet një ditë. Siç i pëlqen Macron t’u kujtojë vazhdimisht bashkëbiseduesve të tij: poshtërimi i Rusisë nuk është një ide e mirë.

Ky është edhe thelbi i politikës së Evropës ndaj Rusisë. Gjermania, së bashku me Francën, ngurrojnë ta pranojnë se përveç përpjekjes për të shkatërruar Ukrainën, Rusia e ka përmbysur statuskuonë e pas Luftës së Ftohtë. Kërcënimet e Putinit për të përdorur armë bërthamore, janë përpjekjet e tij për ta trembur Gjermaninë dhe detyruar atë të mbajë një qasje neutrale.

Megjithatë, për sa kohë që Berlini nuk heq dorë në mënyrë të qartë nga Ostpolitik, pra politika me fokus lindjen, e cila bazohet në idenë e afrimit të Rusisë me Evropën dhe sigurimin e stabilitetit të kontinentit, nuk mund të ketë një politikë koherente evropiane ndaj Rusisë.

Pra, ndërsa është një lëvizje shumë e mirë dhënia e statusit të kandidatit për Ukrainën, ajo që nevojitet është një mentalitet i ri kur bëhet fjalë për Rusinë. Për momentin, nuk ka një qasje të tillë të përbashkët. Bazuar tek historia e tyre me Rusinë dhe pozita gjeografike, Polonia, Suedia dhe shtetet baltike, duhet ta kuptojnë se çfarë do të thotë lufta në Ukrainë jo vetëm për ekzistencën e atij vendi, por edhe për sigurinë e Evropës, raporton abcnews.al.

Në fakt, një fitore e Rusisë në këtë luftë, do t’i jepte Putinit besimin për të shfrytëzuar një dëshirë të caktuar brenda Partisë Social Demokrate të Scholz dhe krahut të majtë në Gjermani në përgjithësi, që të kapërcejë atë që ata e shohin si krizë të marrëdhënieve me Moskën.

Për ta, mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit është një domosdoshmëri. Për më tepër, mos e nënvlerësoni dëshirën e së majtës gjermane për një lloj arkitekture të re sigurie, e cila do të përfshinte Rusinë. Pak njerëz do të ishin kundër nevojës që Evropa të ketë një vështrim jo-ideologjik ndaj gjendjes së dobët të sigurisë dhe gatishmërisë së saj mbrojtëse.

Por nga ana tjetër, çdo arkitekturë e re e sigurisë, me përfshirjen e NATO-s, mund të krijohet vetëm nga pozitat e forcës dhe unitetit. Përndryshe, do të jetë Rusia ajo që mund të vendosë kushtet. Është kjo arsyeja pse është kaq thelbësore politika aktuale dhe e ardhshme e Gjermanisë dhe Francës ndaj Rusisë.

Dhe është po aq thelbësore që Ukraina të ketë mundësinë të negociojë fundin e kësaj lufte të tmerrshme nga një pozitë më e fortë. Nëse nuk ndodh asnjëra prej tyre, siguria e Evropës do të kompromentohet në një mënyrë shumë të rrezikshme.

/abcnews.al