Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në hyrjen jugore të qytetit të Lushnjes.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Benz” ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe, pasi është përplasur në kanalin anësor, ka përfunduar duke goditur një shtyllë të tensionit të mesëm.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë kryer veprimet procedurale për dokumentimin e aksidentit, si dhe kanë disiplinuar qarkullimin në një nga segmentet më të ngarkuara gjatë orëve të mëngjesit.
Nga informacionet paraprake dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë së lartë. Megjithatë, specialistët e Policisë po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e plotë të aksidentit.
/abcnews.al/


