Izraeli sulmon me raketa Sirinë, raportohet për 4 të vdekur

schedule09:36 - 7 Shkurt, 2024

schedule 09:36 - 7 Shkurt, 2024

Bombardimet izraelite në provincën e Homsit, në Sirinë qendrore, kanë çuar në vdekjen e të paktën katër personave, përfshirë dy civilë, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

“Katër persona u vranë, duke përfshirë dy civilë, në sulmet izraelite në qytetin e Homsit”, tha për AFP drejtori i OJQ-së, Rami Abdel Rahman.

Televizioni shtetëror sirian transmetoi pamje që tregonin ekuipazhet e shpëtimit duke kërkuar nëpër rrënojat e një ndërtese të shembur dhe duke mbajtur një viktimë në një barelë.

Që nga shpërthimi i luftës në Siri në vitin 2011, Izraeli ka sulmuar me qindra herë Sirinë,  shumica dërrmuese e tyre nga ajri, duke synuar forcat pranë Iranit,në veçanti lëvizjen libaneze Hezbollah, një aleate e Damaskut, si  dhe ushtrinë siriane.

Sulmet izraelite janë shumëfishuar që kur shpërtheu lufta e 7 tetorit në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas, një aleate e Hezbollah.

Muajin e kaluar, sulmet ajrore izraelite pranë Damaskut  shkaktuan  8 viktima, duke përfshirë luftëtarë pranë Iranit.

Izraeli rrallëherë konfirmon publikisht operacionet e tij ushtarake në Siri, por ka thënë vazhdimisht se nuk do të lejojë Iranin, i cili mbështet qeverinë e presidentit Bashar al-Assad, të forcojë praninë e tij në vendin fqinj.

Javën e kaluar, SHBA-ja nisi sulme ajrore kundër grupeve të lidhura me Teheranin në Siri dhe Irak, duke vrarë dhjetëra njerëz, si hakmarrje për një sulm me dron në një bazë mbështetëse në Jordani që vrau tre pjesëtarë të forcave amerikane.

/abcnews.al