Izraeli fton studentët hebrenj amerikanë të studiojnë në vendin e tyre

schedule19:23 - 15 Maj, 2024

schedule 19:23 - 15 Maj, 2024

Institucionet akademike në Izrael thonë se po bëjnë plane për të mirëpritur studentët që duan të largohen nga universitetet amerikane. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, kjo vjen si rezultat i protestave në universitetet amerikane kundër luftës së Izraelit në Gazë, që bëjnë shumë studentë hebrenj të thonë se ndihen të pasigurt. Protestat pro-palestineze, anti-izraelite në universitetet amerikane po bëjnë që disa studentë hebrenj të ndihen të pasigurt në universitetet e tyre.

Maya Resnick është studente në një program bashkëpunimi mes Universitetit të Tel Avivit dhe Universitetit ‘Columbia’ në Nju Jork. Pjesën e studimeve në Nju Jork ajo do ta fillojë gjatë këtij viti.

Por pas protestave anti-izraelite, ajo është e shqetësuar.

“Më duket shqetësuese dhe pak e frikshme të shkoj pasi ka shumë bashkëmoshatarë të mi që bëjnë thirrje që programi të hiqet. Ndjej se nuk jam aq e mirëpritur”, thotë studentja Maya Resnick.

Disa studentë hebrenj në ‘Columbia’ që kanë demonstruar duke kërkuar lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gazë, thonë se janë sulmuar.

“Unë dhe hebrenj të tjerë u sulmuam. Një person më bërtiste, më quante zioniste dhe vrasëse. Ne mendojmë se universiteti është përfshirë nga një ideologji ekstreme. Kjo është e trishtueshme, sepse shumë prej nesh vërtet përkrahin një Palestinë të lirë”, thotë studentja Melissa Saidak.

Disa akademikë izraelitë thonë se studentët pro-palestinezë në universitete nuk e kuptojnë si duhet konfliktin izraelito-palestinez.

“Ajo që duhet të bëjë shteti dhe universitetet izraelite, është të ofrojmë një vend ku mund të zhvillohet një diskutim i gjithanshëm mbi Izraelin dhe konfliktin izraelito-palestinez”, thotë David Barak-Gorodetsky, udhëheqës i programit për Studimet Amerikano-Hebraike në Universitetin e Haifës.

Disa universitete izraelite po u ofrojnë studentëve hebrenj amerikanë mundësinë për t’u transferuar në institucionet akademike izraelite, përkohësisht, ose përgjithmonë.

Instituti prestigjioz i Teknologjisë ‘Technion’ po përshpejton planet për një program njëvjeçar për studentët amerikanë që do të përfshijë edhe hebraishten si lëndë përveç studimeve teknologjike. ‘Technion’ ka marrë tashmë dhjetëra kërkesa për informacion në lidhje me këtë program.

“Ne do t’iu ofrojmë mundësinë që të studiojnë këtu. Ata mund të integrohen lehtësisht në studimet tona, veçanërisht në shkollën pasuniversitare. Ata mund t’u bashkohen studimeve këtu, të sjellin kërkimet e tyre, të bashkëpunojnë me fakultetin tonë”, tha Uri Sivan, President i Institutit të Teknologjisë ‘Technion’.

Ndërsa studentët shkojnë në shtëpi për pushimet e verës, kampet me tenda të protestuesve anti-izraelitë mund të hiqen. Por edhe nëse arrihet një armëpushim në Gazë, disa studentë hebrenj shqetësohen se qëndrimet anti-izraelite mund të vazhdojnë./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!