Gjendja e emergjencës e vendosur në Itali pritet që të mbetet në fuqi deri në tetor. Lajmin e ka dhënë kryeministri i vendit Giuseppe Conte.
Pas disa javësh shqyrtimi, kabineti i tij ka rënë dakord që gjendja e emergjencës të shtyhet deri në tetor.
Një rezolutë e hartuar nga Parlamenti të martën e vendos datën e mbarimit të kësaj gjendjeje deri më 15 tetor, raportoi agjencia e lajmeve Ansa. Conte u shpreh se shtyrja ishte e pashmangshme ndërsa shtoi se “në këtë mënyrë vendi do të jetë më i sigurt.”
“Bashkë me kurbën e transmetimit, impakti i Covid-19 në shërbimin kombëtar shëndetësor është reduktuar në mënyrë të konsiderueshme, dhe kjo na inkurajon ne, të dhënat na tregojnë se virusi vijon të qarkullojë në vendin tonë,” u shpreh ai.
Gjendja e emergjencës, e vendosur në fillim të epidemisë në Itali, e ka lejuar qeverinë që të implementojë masa emergjente me anë të një serie dekretesh.
Zgjatja e periudhës do t’i lejojë qeverisë “të zgjasë masat e nevojshme” dhe “të mbetet në gatishmëri në mënyrë që të ndërhyjë menjëherë nëse ka përkeqësim të situatës,” shpjegoi Conte. /abcnews.al/