Një ngjarje e rëndë ka tronditur në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune Komunën Santa Maria a Monte në Piza të Italisë, pasi si pasojë e një sulmi me armë mbeti i vrarë 25-vjeçari shqiptar Kevin Muharremi.
I riu shqiptar, i cili ishte pasagjer në sediljen e parë në automjetin ku ndodhej së bashku me shokun dhe kushëririn e tij, po kthehej nga një klub nate kur u qëlluan nga një automjet që iu preu rrugën.
Autorët e ngjarjes u larguan menjëherë nga vendi i krimit. Autoritetet italiane po monitorojnë të gjitha kamerat në zonë për të gjetur gjurmë të vrasësit, ndërsa karabinierët po intervistojnë gjithashtu disa dëshmitarë, të cilët thanë se kishin dëgjuar tri të shtëna.
Plumbat që e goditën në qafë ishin fatalë për 25-vjeçarin, që ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje.
Mediat italiane shkruajnë se i riu shqiptar, i shoqëruar nga kushëriri dhe miku i tij, po kthehej nga një klub nate ku kishte pasur konflikte me persona të tjerë dhe deri më tani kjo mbetet pista kryesore e hetimeve.
25-vjeçari shqiptar, i cili jetonte në Itali, ishte punonjës në një lavazh dhe servis makinash.


