Emigroi për 6 vite në Gjermani, por, Tejdo Doda u kthye në Shqipëri për të punuar dhe jetuar. Kthimin në Shqipëri 25 vjeçari nga Burreli, nuk e sheh vetëm si kthim në atdhe, por si një mision për të vazhduar traditën familjare të disiplinës dhe përkushtimit. Tejdo vjen nga një familje me prindërit ushtarakë, dhe prej një viti ai ka zgjedhur të ecë në gjurmët e tyre.
“Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e forcave të armatosura, e kryej punën time me nder. Edhe unë si shumë qytetarë kam provuar emigrimin, kam punuar një farë kohe të jetës time në Gjermani. Kam punuar shumë kohë atje, kuptova me kohën që më e rëndësishme është të rri afër familjes time. Me kohën, prindërit plaken dhe ne rritemi. Doja ti kushtoja më shumë kohë familjes time. Babai dhe mamaja ime janë ushtarakë. Pse jo edhe unë të ndiqja të njëjtën karrierë me to”, tregon Tejdo Doda.
Kurioziteti për të jetuar jashtë vendit, bëri që 25 vjeçari të emigronte në moshë fare të re. Por, shumë shpejt, ai thotë se e kuptoi vlerën e vendit të tij, ku dhe vendosi të kthehet përfundimisht.
“E kam kuptuar që kur isha i vogël që çdo të thotë të jesh pjesë e Forcave të Armatosura. E kam pëlqyer gjithmonë, por, adoleshenca duke qenë si shumë kurioz për traditën dhe të jetuarin jashtë. Kam provuar dhe kam kuptuar se nuk ka si vendi yt”, shprehet ai.
Që i vogël, Tejdo është marrë me stërvitje. Ai ka vendosur të mos e lërë kurrë pas dore përgatitjen fizike, si një mënyrë për ti shërbyer më së miri edhe në profesion. Për të, sporti është kthyer në domosdoshmëri.
“Jam marr me stërvitje që i vogël. Kam zgjedhur mos ta lej kurrë mbas dore. Do e ndjek se duhet të jem edhe vogjilent, sjell veç të mira tek shëndeti. Nis stërvitjen me ecje rreth e rrotull liqenit. Bëj vrap, pompa e stërvitje. Besoj se është stërvitja më e mirë. Gjatë javës bëj 6 ditë të javës. Është shumë mirë edhe për mendjen e stresit”, shton më tej.
Ai thotë se përgatitja fizike është thelbësore për t’u përballur me çdo sfidë në punë, ndërsa ka edhe një mesazh për të rinjtë por, jo vetëm, që të bëhen pjesë e aktiviteteve sportive.
“Do ju sugjeroja të gjithë të rinjëve të merren me sport. Në fakt edhe të rriturit. Sporti na ndihmon të heqim stresin, dhe mendimet negative nga mendja”, përfundon ai.


