Rijetëzimi i Bulevardit historik “Edidamn” në Durrës nuk do të ndalet.
Kryeministri Edi Rama u takua të shtunën me banorët që preken nga projekti, një pjesë e të cilëve kishin shprehur pakënaqësi për vlerën e kompesimit.
Shefi I qeverisë tha se investimi do të realizohet ndërsa do të rishikohen referencat e reja sa I përket vlerës së shpronësimit, apo problematikat me disa banesa të cilat nuk disponojnë hipotekë, kryesisht trashëgimi kulturore.
“Kemi rënë dakord se si do të shkojmë përpara, qoftë me atë verifikimin e nevojshëm për disa objekte, që janë objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore, qoftë me disa variante për shpronësimin dhe shpërblimin. Kjo do të jetë rruga. Do të ketë prishje patjetër. Projekti nuk do të ndalet, do të zbatohet, por do të bëjmë verifikim për disa shtëpi që janë trashëgimi kulturore, të pretenduara dhe janë një grup i vogël shtëpish që nuk kanë marrë regjistrimin në hipotekë pavarësisht se janë aty prej shumë shumë vitesh. Këto janë dy problematikat që duhet t’i shohim. E kemi diskutuar pjesën e çmimit dhe do të duhet të shohim referencat e tjera”, tha kryeministri Rama.
Ndërsa ndau detaje nga biseda me banorët, Rama akuzoi Berishën se po përdor qytetarët për të penguar projektin dhe zhvillimin e Durrësit.
“Me 34 qytetarë të Durrësit, përfaqësues të familjeve që kanë këtë problematikë kemi folur rreth 2 orë e gjysmë dhe ata e kanë hallin dhe me ata kemi folur. Biseda ka qenë absolutisht konstruktive, ndërkohë që 35 të tjerë atje që nuk përfaqësojnë aq qytetin dhe aq qytetarët, por vetëm hallin e një 80 e kusur vjeçari të rrjedhur nga lloj rruge të arsyes krijojnë situata qesharake, që tregojnë se ku është katandisur ajo farë partie”, shtoi kreu i qeverisë.
Rikonceptimi I qendrës historike të Durrësit, është një nismë e qeverisë shqiptare që parashikon të ktheje zonën arkeologjike të qytetit bregdetar në një park të madh urban, duke integruar Amfiteatrin e Durrësit dhe zhvilluar turizmin, ekonominë dhe hapësirat publike. Projekti parashikon restaurime, riorganizim rrugës dhe krijimin e një modeli mikpritjeje për vizitorët.


