Itali-Maltë, marrëveshje për anijen me emigrantë

schedule19:57 - 26 Qershor, 2018

schedule 19:57 - 26 Qershor, 2018

Italia dhe Malta kanë rënë dakord për t’i dhënë zgjidhje rastit të një anijeje me refugjatë që prej 5 ditësh endet në det. Por pakti i arritur nuk i jep zgjidhje rasteve të anijeve të tjera që në ditët e ardhshme mund të nisen nga Libia. Ndërkohë, BE po përgatitet për një tjetër samit.

Italia dhe Malta kanë arritur një marrëveshje që i jep fund dilemave mbi fatin e një anijeje me 230 emigrantë në bord, që prej 5 ditësh endet në ujërat e Mesdheut. Anija “Lifeline” do të ankorohet në Maltë, por Italia dhe disa vende të tjera të BE-së do të pranojnë një pjesë të refugjatëve që ajo transporton. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri italian, Giuseppe Conte. Qeveria populiste e Italisë i ka mbyllur portet për anijet me refugjatë dhe ka hequr dorë nga vajtja në ndihmë të tyre, me argumentin se vendet partnere duhet të marrin një pjesë të barrës së refugjatëve që nisen nga brigjet e Libisë. Zoti Conte ka deklaruar se përveç Maltës dhe Italisë, Spanja dhe Franca do të marrin një pjesë të refugjatëve. Por nga ana e saj qeveria malteze nuk e ka konfirmuar marrëveshjen, e cila është e pavlefshme për anijet që mund të nisen në ditët në vijim. Ditën e diel, liderët e BE-së zhvilluan në Bruksel një samit për krizën e emigrantëve, që pas bisedimesh të vështira u mbyll pa një rezultat. Ndërkohë, një samit tjetër për të njëjtën çështje do të mbahet të enjten e ardhshme. Më herët, një pasagjer i sëmurë u evakuua nga anija “Lifeline” dhe u dërgua në Maltë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Një grup gjerman bamirësie ka paralajmëruar se gjendja e emigrantëve të tjerë në bordin e anijes është gjithashtu e rëndë dhe madje po përkeqësohet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!