Itali, ironi për qeverinë e re/ Analistët: Ekzekutivi Conte, farsë e zezë!

schedule19:07 - 1 Qershor, 2018

schedule 19:07 - 1 Qershor, 2018

Ndonëse formimi i qeverisë së re të Italisë ka qetësuar tregjet financiare dhe ka lehtësuar disi Europën, ironia dhe kritikat ndaj saj nuk janë kursyer. Filiali italian i prestigjiozes “Huffington Post” e ka cilësuar kabinetin Conte një “farsë të zezë”.

Në vendin e komedisë dhe artit, qeveria Conte lind si një farsë e zezë. Tonet sa ironike aq edhe therrëse për ekzekutivin e sapobetuar të Italisë vijnë nga “Huffington Post”. Në shkrimin që mban firmën e analistit Tomaso Montanari thuhet se qeveria e re merr jetë me një kryetar kukull, që futet e nxirret nga dollapi sipas dëshirës. Një qeveri paradoksale, thotë Montanari, me dy zëvendësat që urdhërojnë shefin e tyre. E madje, madje – shton ai – vetëm njëri prej tyre është shef i vërtetë dhe mban të mbërthyer dy të tjerët. Personi në fjalë është Matteo Salvini, të cilin “Huffington Post” e konsideron të papërshtatshëm për të mbajtur postin kyç të qeverisë, atë të ministrit të Brendshëm. “Sapo u emërua ministër për policinë një person tek i cili radikalët njohin vetëveten; një person që paralajmëron një ofensivë të dhunshme kundër emigrantëve; një person që premton se do të armatosë italianët; një person që thotë se fashizmi ka bërë edhe gjëra të mira. Me pak fjalë, një fashist!”, shkruan Montanari. Paradokset sipas gazetës prestigjoze vijojnë me presidentin e Republikës, Sergio Mattarella, që pak ditë më parë përdori Kushtetutën për të ndalur emërimin e Paolo Savonës, i konsideruar armik i Europës, por 4 ditë më vonë e emëron atë ministër për Europën. Dhe në këtë situatë, ose Mattarella ka dhënë dritën jeshile pasi i ka imponuar qeverisë udhërrëfyesin e tij politik,; ose ia ka besuar vendin një qeverie që do të rezultojë një katastrofë – vijon analiza, e cila vë në dukje një sërë defektesh të ekzekutivit të ri. Një qeveri e djathtë, që anon nga e djathta ekstreme; një qeveri e përbërë nga parti anti-sistem por ku ekonomia dhe punët e jashtme do të jenë në duart e vetë sistemit. Një qeveri që flet për ndryshim, por që për të ndryshuar padrejtësitë sociale do të ulë taksat për të pasurit dhe do t’ua rrisë të varfërve. Një qeveri që për të ndryshuar një vend maskilist si Italia udhëhiqet nga meshkuj. Në këto kushte, vijon Montanari shkrimin e tij, rreziku që gjithçka të vijojë siç ishte më parë është më real se kurrë. Por këtë herë, thekson gazetari, paradoksi do të shoqërohet nga e ashtuquajtura “arma e shpërqendrimit në masë”, që do të jetë gjuetia ndaj njerëzve që ndryshojnë nga ngjyra e lëkurës, gjinia dhe mendimi./abcnews.al