Itali, afrikani i parë në Senat

schedule18:21 - 6 Mars, 2018

schedule 18:21 - 6 Mars, 2018

E fuqizuar ndër vite me retorikën kundër emigrantëve, partia Liga e Veriut do të përfaqësohet në Senatin e Italisë edhe me një senator me origjinë afrikane. Fitorja e Toni Iuobi, në zgjedhjet e së dielës, ka bërë që shumë italianë të pyesin: ku përfundoi parulla “Stop pushtimit”?

E gjithë fushata e tij kumboi me thirrjet kundër emigrantëve, me parullën “Stop pushtimit” dhe me premtimin për dëbime në masë. Por lideri i Ligës së Veriut, Matteo Salvini ka bërë atë që pakkush e priste, në listat për senatorë ka futur një afro-italian, që pas zgjedhjeve të së dielës ka siguruar ulësen e tij në Senatin e vendit fqinj.

Ai quhet Toni Iuobi, një qytetar nga Bergamo por me origjinë nigeriane, që tashmë është kthyer në senatorin e parë me ngjyrë në historinë e Italisë. “Miq, me emocione të mëdha ju njoftoj se jam zgjedhur senator i Republikës! Pas shumë vitesh betejë në familjen e Ligës, tani do të marrë jetë një aventurë e madhe”, ka njoftuar Iuobi. Në mesazhin e tij, ai i ka rezervuar një falenderim të veçantë liderit Salvini.

“Falenderimet e mia i shkojnë Matteo Salvinit, një lider i madh që e ktheu Ligën në forcën e parë të qendrës së djathtë të Italisë”, është shprehur Iuobi. Lajmi është komentuar gjerësisht në mediat italiane, të cilat e quajnë zgjedhjen e afro-italianit një moment historik, duke qenë se do të jetë i pari afrikan që do të ulet në sallën e Pallatit Madama.

Origjina, por edhe qëndrimi i tij ndaj emigracionit në të kaluarën kishin tërhequr vëmendjen dhe kishin shkaktuar edhe ironi. Në momentin e shpalljes së kandidaturës, Iuobi kishte deklaruar: “Për mua Matteo Salvini dhe Liga janë një element i rëndësishëm i mbrojtjes nga racizmi”. Për senatorin e sapozgjedhur, diskriminimi lind pikërisht atëherë kur merr dhenë emigracioni klandestin, që kthehet në hapësirën e padrejtësisë sociale dhe pasigurisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!