ISHP: Situata me pandeminë, gazetarë e fëmijë të infektuar me koronavirus

schedule12:21 - 21 Prill, 2020

schedule 12:21 - 21 Prill, 2020

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico ka deklaruar ditën e sotme se një gazetar rezulton i infektuar me COVID-19.

Fico ka bërë e dije se  ai është në gjendje të mirë dhe se është i vetëizoluar në shtëpi. Po kështu po monitorohet nga mjeku i familjes.

Po Ashtu Fico deklaroi se janë 60 infermierë dhe mjekë të cilët janë infektuar nga Covid-19 dhe 2/3 e tyre janë shëruar.

Fico ka deklaruar ditën e sotme se 21 fëmijë janë të prekur nga koronavirusi por se nuk ka asnjë të shtruar në spital dhe gjysma e tyre janë shëruar.

Nga radhët e policisë Fico tha se janë gjithsej 14 të infektuar ndërkohë që 4 prej tyre ndodhen në strukturën akomoduese të Ministrisë së mbrojtjes.

Pyetje –Përgjigje mes gazetarëve dhe Drejtoreshës së Shëndetit Publik Albana Fico ditën e sotme:

Pyetje: Sa ka shkuar numri i infermierëve dhe mjekëve të prekur nga koronavirusi?

Albana Fico: Mjekët dhe infermierët janë një aset i jashtëzakonshëm, ne testojmë vazhdimisht ndërkohë që kemi 60 mjekë dhe infermierë ku 2/3 e këtyre rasteve janë shëruar.

Pyetje: A kemi raste të grave shtatzëne me koronavirus?

Albana Fico: Numri i grave shtatzëna të prekura është i ulët. Kemi 4 raste të konfirmuara, 2 prej të cilave janë të shëruara.

Pyetje: Sa janë rastet që janë trajtuar fillimisht në shtëpi dhe më pas janë dërguar në spital?

Albana Fico: Së pari  rastet e ndjekura në shtëpi janë monitoruar nga mjeku i familjes. Nuk kemi raste të përkeqësimit të urgjencës spitalore, janë raste që monitorohen. Padiskutim do ju bëjmë me dije nëse do kemi raste të tilla.

Pyetje: Si është situata në Krujë dhe Kurbin, a janë testuar të gjithë punonjësit?

Albana Fico: Kruja dhe Kurbini kanë marrë vëmendjen tonë ku ka filluar një hetim i thelluar epidemiologjik. Në përfundim të të gjithë kësaj tabloje, do merren masat e duhura. Puna vijon dhe për të gjitha rastet pozitive, mjeku i familjes ka marrë përsipër vëzhgimin dhe trajtimin e tyre nëse do të duhet.

Pyetje: A mundet që një pacient i shëruar të preket sërisht nga koronavirusi?

Albana Fico: Kjo është një pyetje që bëhet kudo në botë, edhe nëse ka raste të tilla të cilat janë në investigim sepse kanë të bëjnë me imunitetin e pacientit, nuk mund të themi që rastet e riinfeksionit janë raste të lidhura veçanërisht me rimarrjen e virusit.

Pyetje: A ka gazetarë të prekur me Covid-19?

Albana Fico: Po, kemi vetëm një rast, po  monitorohet. Është në gjendje të mirë dhe i vetëizoluar. Po ndiqet nga mjeku i familjes.

Pyetje: Sa është numri i fëmijëve të prekur, i policëve?

Albana Fico: Numri i fëmijëve të prekur është 21 raste. Lajm i mirë është se nuk kemi asnjë fëmijë të shtruar në spital dhe se gjysma e tyre janë shëruar. Ndërkohë nga radhët e policisë janë 14 raste dhe në strukturën akomoduese të ministrisë së mbrojtjes, janë gjithsej 4 persona.

Ministria e Shëndetësisë deklaroi ditën e sotme se janë konfirmuar 25 raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të të infektuarve në 609 raste./abcnews.al