Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës: Qeveria Hoti është e ligjshme!

schedule21:33 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 21:33 - 9 Dhjetor, 2020

Gjykata Kushtetuese ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm si gardiane e Kushtetutës në krijimin dhe ruajtjen e institucioneve demokratike në Kosovës. Kështu është shprehur Enver Hasani, ish-kryetari i gjykatës Kushtetuese për emisionin “Ballkan” ndërsa shton se ky institucion ka vënë themelet e një kulture të re politike në vend, që bazohet në Kushtetutë.

Hasani u shpreh po ashtu, se gjatë kohës që ka qenë në detyrë, nuk ka asnjë pendesë në lidhje me vendimet që ka marrë.

“Ka qenë një nder i madh për mua, të kem qenë kryetar në vitet e saj formative, me një përbërje të gjyqtarëve, që ishte shumë e mirë krahasismisht me kolegë të tjerë në rajon. Ato vendime që janë marrë, janë kolosale, po t’i shihni punimet shkencore…”

Ndërsa, i pyetur në lidhje me vendimet e Kushtetueses për rrëzimin e qeverisë Kurti, Hasani tha se arsyetimi i kësaj gjykate lë shumë për të dëshiruar në aspektin profesional.

“Arsyetimi le shumë për të dëshirar në aspektin profesional. Krijoi një standart të dytshëm, sipas të cilit fituesi i zgjdhejeve mund të eliminohet përmes dy letrateve të dërguara nga presidenti. Dy-tri ofertave…Kjo në sistemin proporcional që e ka Kosova, nëse nuk ulet pragu zgjedhor në 2 për qind,  ky vendim do të jetë gjenerator i jo-stabilitet dhe problemeve politike.”

Në duart e kësaj gjykate varet edhe fati i qeverisë Hoti. Lidhur me këtë çështje, Hasani tha se po të kishte qenë ai në krye të këtij institucioni, do e kishte konsideruar si kushtetues, vendimin për formimin e qeverisë.

“Po të kisha qenë unë në krye të gjykatës, unë e kisha konsideruar, jashtë çdo dyshimi si kushtetues vendimin për formimin e qeverisë (Hoti) për shkak se standarti i kushtetutës sonë të Kosovës dhe i një 40-përqindëshi të kushtetutave të tjera të Evropës është që e drejta zgjedhore sikundër edhe shumë të drejta të tjera, mund të merret vetëm me një vendim gjyqësor të formës së prerë, dhe kushtetuta jonë e thotë këtë në mënyrë shprehimore.”

Sa i përket votës së deputetit Etem Arifi, Hasani tha se jashtë çdo diskutimi, vota ishte e ligjshme.

“Jashtë çdo diskutimi ishte e ligjshme, sepse nuk ka pasur një vendim gjyqësor që ia merr të drejtën për të qenë deputet zotit Arifi. S’kam asnjë dyshim që zgjedhja ka qenë e ligjshme, në aspekt kushtetues.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!