Ish-gjyqtari në bankën e të akuzuarve, Gjykata pranon kërkesën

schedule13:32 - 13 Mars, 2019

schedule 13:32 - 13 Mars, 2019

Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, është marrë i pandehur nga Gjykata e Tiranës. Thanza akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, pasi ka fshehur dënimin dhe arrestimi për vjedhje nga autoritetet italiane në 1999-n. Ish–gjyqtari Thanza ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj tij.

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të marrë të pandehur ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Gjyqtari i hetimeve paraprake Arben Micko vendosi që të kalojë për gjykim dosjen ndaj Thanzës. Prokuroria e Tiranës akuzon ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë për falsifikim të formularit të dekriminalzimit. Në Korrik të vitit të kaluar, Thanza u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi fshehu dënimin dhe arrestimin nga drejtësia italiane.

Ish-gjyqtari Thanza në seancë ka kërkuar pushimin e çështjes me argumentin se ai nuk ka qenë kurrë i dënuar, por ka pranuar dënimin e kunatës. Mosdeklarimi i dënimit në formularët e dekriminalizimit përbën vepër penale sipas ligjit aktual që është në fuqi. Në fund të Janarit të këtij vitit, Prokuroria e Tiranës mbylli hetimin për Admir Thanzën, të akuzuar për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Hetimi për ish-gjyqtarin Thanza nisi pas paraqitjes së tij para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në këtë proces doli në dritë një gjetje e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimin se Thanza rezultonte i dënuar në vitin 1999 nga Gjykata e Pizës në Itali. Dënimi me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë për vjedhje në një supermarket. Sendet e vjedhura janë rroba dhe produkte kozmetike. Vuajtja e dënimit ishte pezulluar, por asgjë nuk ishte deklaruar rreth tij në formularët e dekriminalizimit. Në dosjen ndaj Thanzës, prokurorët e Tiranës kanë edhe një letërporosi të mbërritur nga Italia, e cila konfirmon se ish-gjyqtari ka qenë i dënuar nga drejtësia italiane për vjedhje.

Në seancën dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ish-gjyqtari Thanza është shprehur se ka tentuar që ta sqarojë situatën si në përgjigjet e kthyera në e-mail, po ashtu edhe në materialet që ka paraqitur para KPK-së. Thanza ka sqaruar se çdo gjë e ka marrë përsipër për të mbrojtur një fëmijë të mitur, duke qenë se ai është gjaku i tij, djali i vëllait./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!