Ish-diplomati gjerman jep alarmin: Bota në rrezik!

schedule22:58 - 3 Shtator, 2018

schedule 22:58 - 3 Shtator, 2018

Gjermania mund të orientojë marrëdhëniet diplomatike nga Kina dhe Rusia nëse Donald Trump vijon me politikat e tij. Deklarata është bërë nga një ish-diplomat gjerman, i cili ka paralajmëruar se nën lidershipin aktual të Shteteve të Bashkuara bota është në rrezik.

Sa më gjatë Donald Trump të qëndrojë në detyrë, aq më i lartë do të jetë rreziku që forcat anti-amerikane të gjejnë terren në Gjermani dhe ta kthejnë orientimin e saj drejt Rusisë dhe Kinës.

Paralajmërimi është bërë nga ish-ambasadori gjerman në Uashington, Volfgang Ishinger, pak ditë para publikimit të librit të tij të titulluar “Bota në rrezik”. Në një intervistë për agjencinë “Reuters”, Ishinger u ka bërë thirrje gjermanëve që të mos heqin dorë nga Shtetet e Bashkuara pavarësisht politikave të Trump.

“Sa më gjatë Trump të qëndrojë në detyrë aq më e vështirë do të jetë për gjermanët dhe popujt e tjerë të Europës të ngrihen kundër atyre të cilët që prej luftës së Vietnamit bëjnë thirrje për ndërprerjen e lidhjeve me Amerikën arrogante”, ka thënë Ishinger.

Gjithashtu, ka vijuar diplomati veteran, vetë Gjermania do ta ketë më të vështirë të ndjekë kursin e saj të reformave.

“Dhe forcat që bëjnë thirrje për një lidhje më të ngushtë me Rusinë dhe Kinën mund të përforcohen”, ka vijuar Ishinger.

Që nga marrja e detyrës në Janar të 2017-s, Trump ka tërhequr Amerikën nga marrëveshja e klimës, marrëveshja bërthamore me Iranin dhe ka kërcënuar me largimin nga Organizata Botërore e Tregtisë.

Gjithashtu, ai vazhdimisht ka sulmuar Gjermaninë për suficitin e saj politik dhe për shkurtim të shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, duke hyrë në konflikt me vendin që prej shumë kohësh e ka parë Amerikën si aleatin kryesor jashtë Europës dhe si mburojë në aspektin e sigurisë./abcnews.al