Alekandar Isaevksi, mbrojtësi i majtë i Vllaznia, ka dalë sot krah trajnerit Thomas Brdaric në konferencën e organizuar për shtypin. Lojtari nga Maqedonia e Veriut la Bullgarinë për të luajtur në Superiore dhe flet për përshtypjet e para për kampionatin shqiptar.
“Kam luajtur më parë në Bullgari dhe atje futbolli ishte më teknik, ndërkohë që në Shqipëri shoh që luhet fort edhe fizikisht, është një futboll më agresiv, duhet të vraposh shumë dhe të përplasesh shumë. Erdha te Vllaznia për t’iu bashkuar një projekti të ri, me trajner të ri, drejtor të ri, president të ri.
Kam lexuar për Vllazninë, e di që është një klub i madh dhe shpresoj që të kthehet sa më shpejt aty ku kjo skuadër flitet se ka qenë më përpara. Kuptohet që kjo nuk është diçka që mund të ndodhë menjëherë, por do kohën e vet”.
“Në një aspekt, bojkoti i kampionatit na ndihmoi sepse në ekip erdhën shumë lojtarë të rinj të cilët kishin nevojë për përgatitje fizike e teknike, por nga ana tjetër sigurisht që kemi mbetur në ankth sepse nuk e dinim kur do të fillonim. Megjithatë detyra jonë është të stërvitemi dhe të jemi gjithmonë gati për të luajtur”.
“Ne do të shkojmë drejt Korçës për të luftuar për tre pikë, por e dini që ky është futboll dhe gjithçka mund të ndodhë, por ne do luajmë për fitore”, përfundon Isaevksi. /abcnews.al