Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Irena Gjoka: Asnjë shkelje/ Gjyqtarja e GJKKO dëshmoi në KLGJ për dënimin në Greqi

schedule19:32 - 23 Janar, 2026

schedule 19:32 - 23 Janar, 2026

Gjyqtarja e  Gjykatës së Posacme, Irena Gjoka, thotë se nuk ka pasur kurrë dijeni lidhur me procesin gjyqësor dhe dënimin që është dhënë ndaj saj në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janin në vitin 2005. Nëpërmjet një shkrese drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Irena Gjoka, ka shpjeguar edhe arsyen se pse ka shënuar që nuk është e dënuar në formularin e dekriminalizmit që ka plotësuar në vitin 2016.

“Fakti i hetimit dhe gjykimit nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë nuk është shënuar nga ana ime në formularin e dekriminalizimit,  për shkak se tej çdo dyshimi të arsyeshëm provohet se nuk kam pasur dijeni në tërësi për procesin penal (hetim dhe gjykim)  të zhvilluar ndaj meje. Personalisht nuk jam njoftuar, as zyrtarisht dhe as faktikisht për procesin gjyqësor administrativ apo ndonjë proces tjetër të zhvilluar ndaj meje, në gjykatat greke”, shkruan Gjoka.

Gjyqtarja e Posaçme shpjegon se në Shtetin grek nuk ka kryer asnjë shkelje të natyrës penale. Gjykata e Shkallës së Parë Janinë e cila ka dënuar Irena Gjokën për veprën “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”,  me tre muaj burgim dhe 1500 Euro Gjobë, rezulton që vendimin ta ketë marrë pa bërë asnjë njoftim dhe dënimi me burgim është konvertuar me gjobë në masën 4,4 Euro në ditë.



“Çmoj të theksoj se, në të gjithë përmbajtjen e vendimit të Gjykatës së Janinës të dhënë ndaj meje, nuk përmendet në asnjë moment përcaktimi i shkeljes së pretenduar si të kryer nga unë, e natyrës “penale”, por ajo cilësohet në të gjitha rastet si një “vepër”, “shkelje” e cila parashikohet nga paragrafi 7 i nenit 54 me titull “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek” dhe jo nga Kodi Penal”, shkruhet më tej në letër.

Irena Gjoka, madje pretendon se në vendimin e Gjykatës së Janinës janë kryer shkelje, kur thuhet se asaj i është sekuestruar Pasaporta.

“As nga përmbajtja e vendimit të Gjykatës së Janinës të datës 07.06.2005, nuk rezulton të jetë mbajtur ndonjë procesverbal sekuestrimi në datën 24.12.2002 dhe as  të jetë kryer ndonjë veprim tjetër me karakter hetimor. Në vendim përshkruhet se pasaporta është sekuestruar më  datë 10.02.2004, por unë nuk  kam qenë në  shtetin Grek në vitin 2004”, shprehet gjyqtarja.

Vendimi i datës 07 Qershor 2005, i Gjykatës së Janinës, sipas Irena Gjokës nuk ka marrë formë të Prerë. Sipas nenit 473 të Kodit të Procedurës Penale Greke afati për paraqitjen e apelit për të pandehurit me vendbanim të panjohur është  30 ditë nga dita e njoftimit të vendimit( vendimi i cili nuk është njoftuar asnjëherë). Ajo shpjegon se përpara se të përfundonte afati i  apelimit,më datë 17 Qershor 2005 është miratuar  ligji  “Përshpejtimi i procedurës para gjykatave civile dhe penale dhe dispozita të tjera”. Sipas edhe interpretimit të kryer nga gjykata Për të Drejtat e njeriut, në çështjen Panou kundër Greqisë me 8 janar 2009,  vendimi i dënimit i arkivuar sipas këtij ligji konsiderohet i paqenë.

“Dënimi nuk u regjistrua kurrë në regjistrin penal, dhe për rrjedhojë, dënimi konsiderohet juridikisht sikur të mos ketë ekzistuar kurrë. Në rastin konkret vendimi i dënimit nuk është i formës së prerë dhe si rrjedhojë  ai nuk ka asnjë vlerë juridike në Territorin e Republikës së Shqipëris”, shkruhet më tej në letër.

Në përfundim në parashtesat drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqsore, Irena Gjoka tregon edhe arsyet pse ajo nuk duhet të shkarkohet.

“Si konkluzion, vendimi i dënimit jo i formës së prerë i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë nuk mund të përbëjë shkak për mbarimin e mandatit tim si gjyqtare, sepse ky vendim nuk cenon kushtet e zgjedhshmërisë. Në kushtet e analizuara më sipër, ky vendim konsiderohet si i paqenë. Nga analiza e sipërcituar, rezulton qartë se ILD nuk mund të fillojë procedim  disiplinor ndaj meje, në funksionin e gjyqtares, sepse nuk provohet se  kam kryer një vepër penale, vendimi i dënimit nuk sjell asnjëpasojë juridike.Përtej diskutimit të sipërcituar, ILD-se nuk i lejohet të fillojë një procedim disiplinor pas 5 vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar”, përfundon Gjoka.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!