Uashingtoni dhe Teherani kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike për dekada, megjithatë, përpara sulmit të Iranit ndaj Izraelit ata komunikuan përmes diplomatëve zviceranë.
Siç raportohet nga Agence France-Presse, Zvicra përfaqëson interesat e SHBA-së në Iran dhe në kohë tensionesh të rritura, roli i saj si ndërmjetës bëhet veçanërisht i rëndësishëm.
Ministria e Jashtme zvicerane të hënën nuk pranoi të zbulojë se çfarë veprimesh ka ndërmarrë vendi në lidhje me sulmin e Iranit ndaj Izraelit gjatë fundjavës. Megjithatë, zyrtarët amerikanë dhe iranianë iu referuan rolit të rëndësishëm që luan vendi si ndërmjetës.
Mohammad Bagheri, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit, ishte më i qartë, duke folur në televizionin shtetëror të vendit.
Siç theksoi ai, “nëpërmjet ambasadës zvicerane i dërguam një mesazh SHBA-së se nëse bashkëpunon me Izraelin në veprimet e tij të ardhshme të mundshme, bazat e tij nuk do të jenë të sigurta”.
Britania, nga ana e saj, hodhi poshtë pretendimin e Iranit se kishte dhënë njoftim përpara se të sulmonte Izraelin, siç tha të hënën zëdhënësi i kryeministrit britanik Rishi Sunak.
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian tha të dielën se Irani kishte paralajmëruar vendet fqinje dhe aleatin e Izraelit, Shtetet e Bashkuara se do të fillonin sulmet 72 orë përpara.
/abcnews.al