Irani, Izraeli “përplas” SHBA me Britaninë

schedule22:22 - 1 Maj, 2018

schedule 22:22 - 1 Maj, 2018

Dokumentet e publikuara të hënën nga kryeministri izraelit mbi programin bërthamor të Iranit kanë vënë në dy pole të kundërta Amerikën dhe Britaninë. Uashingtoni deklaron se akuzat e Netanjahut janë reale, ndërsa Londra i premton besnikëri paktit të vitit 2015.

Dokumentet e publikuara nga Izraeli mbi programin bërthamor iranian janë origjinale dhe tregojnë se Teherani ka gënjyer vazhdimisht ndërkombëtarët. Deklarata është bërë nga sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili ka theksuar se është koha të shtrohet sërish pyetja nëse Iranit mund t’i zihet besë për aktivitetin e tij bërthamor. “Dokumentet tregojnë se Irani ka gënjyer agjencinë e OKB-së për energjinë bërthamore dhe 6 vendet që negociuan marrëveshjen për reduktimin e aktivitetit të pasurimit të uraniumit”, ka thënë Pompeo. Çështja pritet të jetë në fokus të bisedimeve që shefi i diplomacisë amerikane do të zhvillojë me homologët e vendeve europiane, kur po afron 12 maji, që është data e caktuar nga Shtetet e Bashkuara për të vendosur nëse do t’i qëndrojnë marrëveshjes apo do ta braktisin atë. Por ndërkohë, akuzat e kryeministrit Beniamin Netanjahu për Republikën Islamike nuk kanë bindur Britaninë e Madhe. Zyra e kryeministres May ka bërë me dije se i qëndron besnike ujdisë së 2015-s, të cilën e cilëson jetike dhe mohon qasjen naive të Perëndimit. Ndërsa ministri i Jashtëm, Boris Johnson ka nënvizuar se dyshimet e ngritura nga Izraeli vënë në dukje rëndësinë për të mbajtur në fuqi kufizimet që Iranit i imponohen nga marrëveshja për ambicjet e tij bërthamore. “Dhe ky pakt nuk bazohet tek besimi tek institucionet iraniane, por tek verifikimet në terren”, ka thënë Johnson. /abcnews.al