Irani i gatshëm për dialog me SHBA

schedule22:18 - 24 June, 2019

schedule22:18 - 24 June, 2019

Autoritetet iraniane deklaruan të hënën se sulmi kibernetik i kryer nga administrata amerikane dështoi. Por ndërkohë, Teherani zyrtar është shprehur i hapur për bisedime, nëse Shtetet e Bashkuara zbusin linjën e tyre të ashpër.

Qeveria iraniane deklaroi të hënën se sulmet kibernetike amerikane ndaj strukturës së saj ushtarake kanë dështuar. Por, ndryshe nga më parë këtë herë Teherani zyrtar dha sinjale se mund të jetë i gatshëm për të biseduar me Uashingtonin, nëse Shtetet e Bashkuara zbusin sanksionet dhe ofrojnë shanse të reja.

Armiqësia e gjatë mes dy vendeve kulmoi së fundmi, kur administrata amerikane përgatiti një sulm ushtarak ndaj disa objektivave në Iran, por që u anulua në minutat e fundit nga presidenti Donald Trump.

Mediat amerikane raportuan më herët se sulmet kibernetike, që ishin planifikuar prej kohësh, kishin çaktivizuar sistemet raketahedhëse të Iranit, por për zyrtarët iranianë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Ata u përpoqën shumë, por nuk ia arritën”, deklaroi në Twitter ministri iranian i Informacionit, Xhavad Azari Xharomi.

Ai tha se prej kohësh Irani është objekt i sulmeve kibernetike dhe se vetëm vitin e kaluar kishte neutralizuar 33 agresione të tilla. Aleatët e Shteteve të Bashkuara ndërkohë kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve, për shkak se gabimi më i vogël që mund të bëhet nga secila palë mund të çojë në luftë.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo ka udhëtuar drejt Lindjes së Mesme për të diskutuar mbi Iranin me aleatët e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që mbështesin linjën e ashpër ndaj Republikës Islamike./ABC News Albania 24/7