Iran, ajatollahu Khamenei “kërcënon” Trump

schedule22:34 - 9 Maj, 2018

schedule 22:34 - 9 Maj, 2018

Ajatollahu iranian Ali Khamenei ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se bënë gabim që u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore. Ndërkohë, ai i ka bërë thirrje qeverisë iraniane që të mos u zërë besë as fuqive europiane, që deklaruan se do ta vazhdojnë marrëveshjen.

Lideri suprem iranian, ajatollahu Ali Khamenei i është drejtuar presidentit Donald Trump duke i thënë se bëri gabim që u tërhoq nga marrëveshja bërthamore shumëkombëshe.

Khamenei ka përsëritur se ai nuk i zë besë Amerikës dhe i ka bërë thirrje qeverisë së vendit të tij që të marrë garanci nga fuqitë europiane përpara se të vazhdojë t’i përmbahet paktit të tre viteve më parë.

Khamenei i është referuar këtu deklaratës së një dite më parë të presidentit Hasan Rouhani, që tha se do të përpiqet ta shpëtojë marrëveshjen. Në reagimin e tij televiziv, ai ka thënë se nuk i zë besë as Britanisë, as Francës dhe as Gjermanisë sa i takon respektimit të saj.

“Ju kam dëgjuar të thoni se do të vazhdoni marrëveshjen bërthamore me tre vendet europiane. Nëse doni ta çoni deri në fund marrëveshjen, atëherë merrni garanci, ndryshe nesër ato do të veprojnë njësoj siç vepruan Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Khamenei duke iu drejtuar qeverisë iraniane.

Për liderin suprem, fjalët e liderëve perëndimorë nuk kanë vlerë.

“Sot ata thonë një gjë dhe nesër një gjë tjetër. Nuk kanë turp”, ka shtuar ajatollahu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!