IPKO Superliga | Ballkani fiton duelin e kryesuesve, Gjilanit s’i mjafton Progni

schedule15:15 - 22 Nëntor, 2019

schedule 15:15 - 22 Nëntor, 2019

Dueli i dy ekipeve kryesuese të IPKO Superligës së Kosovës është mbyllur me fitoren e Ballkanit. Ekipi nga Suhareka ka mposhtur në shtëpi 2-1 Gjilanin e Mezanit dhe kryeson i vetëm me 34 pikë.

Të tre golat u shënuan në pjesën e parë. Blend Baftiu zhbllokoi ndeshjen pas çerek ore lojë. 21-vjeçari goditi saktë me kokë, shënoi golin e dhjetë në kampionat dhe kryeson renditjen e golashënuesve.

Renditja e IPKO Superligës

Vendasit nuk u ndalën dhe dyfishuan rezultatin në minutën e 23-të. Jetmir Topalli gjeti golin me anë të një goditje shumë të bukur. Miqtë reaguan dhe shkurtuan rezultatin me goleadorin e ekipit. Gerhard Progni riktheu “Skifterat” në lojë me golin e shënuar në minutën e 37-të.

Pjesa e dytë nuk dhuroi më gola dhe Ballkani arriti të menaxhojë avantazhin. Pesë minuta përpara fundit të ndeshjes, Ismet Munishi, trajneri i Ballkanit, u largua me karton të kuq. Ndeshja u mbyll 2-1 dhe Ballkani arriti të marrë tre pikë shumë të rëndësishme për objektivin titull, ndërsa Gjilani mbetet i dyti me tre pikë më pak. /abcnews.al

IPKO SUPERLIGA E KOSOVËS – JAVA 16
E premte, më 22 nëntor 2019, ora 13:00
Ballkani-Gjilani 2-1
Shënues: Baftiu 14′, Topalli 23′ / Progni 37′