Gjergj Dojani është një nga inxhinierët e sukseshëm në Gjermani, atje ku ka lindur dhe është shkolluar. Por që kur ra regjimi i diktaturës, ai kalon pushimet në vendin ku kanë lindur prindërit e tij në Rapsh të Hotit në Malësinë e Madhe. Edhe 50 vjetorin e tij ai e festoi në këtë vend.
I lindur në perëndim, por çdo vit pas ‘90-s këtë ditë e feston në vendin e origjinës së tij.
Gjergj Dojani për 50 vjetorin ndodhet në Rapsh të Hotit.
Një fshat në Malësi të Madhe, aty ku të parën herë erdhi në vitin 1992.
“Kur kam ardhë për herë të parë këtu ka qenë viti ’92 bashkë me vëllain, motrën dhe nënën dhe një vit më vonë erdha dhe me babain. Këtë vit bëhen 25 vite. Këtu e ndjej veten se jam dikush, më njohin babain, nënën, farefisin dhe familjen. Këtu e ndjej veten sikur jam në shtëpine time.”
E gjithë familja e nisi festën me Meshën Shenjtë në Kishë. Si një bekim që ai së bashku me të afërmit të mund të jenë bashkë.
Gjergj Dojani me profesion inxhinier në Gjermani, Rapshin e Hotit nuk e ndërron me asnjë vend në botë.
“Këtu jam martuar dhe prej këtu e kam marrë nusen, prej Vermoshit. Kam bërë dhe shtëpinë këtu dhe çdo vit vij kaloj pushimet këtu.”
Fëmije i një çifti emigrantësh. Babai i tij Palokë Dojani u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Kaiserslautern të Gjermanisë.
Ishte familja e parë shqiptare e krijuar në zonë.
“Personalisht kam rënë në vitin ’92 në dashuri me Shqipërinë. Edukata e familjes prëj nënës dhe babait ndikon shumë. Babai është një tifoz shumë i madh për Shqipërinë dhe atdheun. Në familjen tonë gjithmonë i kemi mbajtur gjallë traditat shqiptare dhe gjuhën shqipe, kemi mbajtur gjallë bashkarinë e kumbarinë.”
50 vjeçari që çmallet me gurët e malsisë është një nga inxhinjerët kryesorë auditues i një prej kompanitve më të mëdha në botë TUV, mbi kontrollin teknik të automjeteve. Falë punës ka arritur të shohë vende të ndryshme të botës, por asnjëherë nuk ka krijuar shkëputje nga rrënjët e tij.
“Këtu ne kemi tufën tonë, kemi gjuhën tonë, kemi afërsinë tonë, kemi shpirtin tonë dhe të ndjesh meshën në gjuhën shqipe është ndryshe nga ajo gjermane. Gjermanishten e flas dhe e kuptoj shumë më mirë se gjuhën shqipe, por shqipja më prek më shumë në shpirt.”
Zona është e tëra e braktisur.
Por janë rrënjët ato që e thërrasin. Për të nuk ka rëndësi luksi më shumë se dashuria për Rapshin./abcnews.al