Blloku i banimit prej 1.6 hektarësh në Njësinë 3, është shndërruar në një nga lagjet më të mira të Tiranës. Kjo vjen nga investimi i Bashkisë së Tiranës që ka nxjerrë në dritë transformimin e madh që ka pësuar i gjithë blloku i banimit.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky transformim vjen pasi Bashkia e Tiranës është e fokusuar vetëm te puna
“Kemi treguar se vetëm kur fokusohemi te puna dhe problemet konkrete mund të kemi rezultat.Fokusi duhet të jenë te hallet, te problemet, që kanë njerëzit, te zgjidhjet që kërkojnë ata. Për të gjitha këto arsye, jam shumë krenar për të gjithë skuadrën që ka punuar e rehabilituar një bllok jashtëzakonisht problematik të Njësisë 3”.
Në fokusin e Bashkisë së Tiranës gjatë këtyre javëve janë edhe përgatitjet e fundit para se të nisë sezoni i ri i hapjes së çerdheve dhe kopshteve sipas Veliajt.
“Dua të nisim përgatitjet për regjistrimet në kopshte dhe çerdhe. Kemi një kërkesë të jashtëzakonshme, por do të duhet të gjejmë balancën mes atyre që janë banorë dhe iu takon, por edhe atyre që janë në gjendje të ngushtë ekonomike që kërkojnë pak ndihmë apo ata që vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian ose nga familje që kanë fëmijë me aftësi speciale që duan një vëmendje të veçantë”.
Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës do të shfrytëzojë periudhën e verës për të intensifikuar punimet në të gjitha projektet e saj për kryeqytetin. /ABC news Albania 24/7