Brukseli e kishte parlajmëruar, por Beogradi nuk ka reflektuar. Bashkimi Evropian ka pezulluar pagesat për Serbinë të parashikuara në planit evropian të zhvillimit, për shkak të asaj që e quan pengesë në gjyqësor.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se deri në shtator-tetor institucionet nuk do të jenë fuqiplota për vendimmarrje, duke penguar krijimin e një ambienti më miqësor për bizneset.
Ai theksoi se pasiguria politike dhe zgjedhjet e vazhdueshme po bllokojnë reformat dhe po ndikojnë negativisht në investimet e brendshme dhe të huaja. Rafuna shtoi se ekziston rreziku i shkurtimit të fondeve dhe humbjes së një momentumi të favorshëm për avancim në një situatë ku Serbia ka të bllokuara fondet nga BE.
“Institucionet deri në shtator-tetor nuk do t’i kemi fuqiplotë për të nisur me marrjen e vendimeve dhe bizneset ambientin e tyre më miqësor. Fondet i janë bllokuar Serbisë dhe është një momentum për Kosovën ideal që institucionet tona të punojnë me ritëm të shpejtë dhe të avancojmë me reformat tona.
Të avancohet edhe në raport me Serbinë sepse do të kishim mundësinë të punonim me KE, sepse ne kemi një kusht të veçantë që është dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli. E kishim mundësinë të ecnim me ritme të shpejta pavarësisht situatës me Serbinë, por prapë po shkojmë në zgjedhje. Kam frikën që edhe për ne do të ketë shkurtime të fondeve, por shpresojmë të kemi mirëkuptim për shkak të zgjedhjeve.
Pasiguria politike i mban peng investimet e brendshme, por edhe thithjen e investimeve të huaja. Ne për 2 vite nuk po bëjmë asnjë reformë sepse nuk kemi asnjë qeveri fuqiplotë dhe me kompetenca të kufizuara, nuk mund të kemi parlament derisa të formohet i riu. Është për të ardhur keq!” / abcnews.al /


