Në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të testohet numërimi i votave nëpërmjet inteligjencës artificiale.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se kjo praktikë nuk do të zëvendësojë numërimin tradicional të votave por do të ndihmojë procesin dhe do të shërbejë si test për implementimin e teknologjisë në proceset zgjedhore.
“Më 9 nëntor të këtij viti do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme për kryetarë të disa bashkive të vendit. Stafi i KQZ-së po punon për të aplikuar, për herë të parë, përdorimin e AI-së në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe në nxjerrjen e rezultateve. Ky projekt do të shërbejë si test dhe, për momentin, nuk do të zëvendësojë procedurën manuale të numërimit dhe vlerësimit të votave, e cila mbetet mënyra zyrtare e referimit.”
Këtë deklaratë Celibashi e bëri gjatë tryezës “Mbikqyrja e Digjitalizimit në Proceset Zgjedhore: Drejt Konvergjencës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, i cili tha se përfshirja e teknologjisë do te sjellë më shumë transparencë në procesin zgjedhor.
“Digjitalizimi po sjell ndryshime në mënyrën se si njerëzit e shohin demokracinë sot, ndërsa po sjell gjithashtu dhe më tepër transparencë politike. Ne I mbështesim plotësisht proceset elektronike të ndihmuara nga AI që ju pershtaten standarteve të BE.”
Deri më tani, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka aplikuar 100% identifikimin biometric në zgjedhjeve ndërsa votimi elektronik është zbatuar vetëm në disa zona, ndërsa synohet që në proceset e ardhshme zgjedhore të rritet përdorimi i teknologjisë në zgjedhjeve./abcnews.al

