Ukraina po përshpejton përdorimin e inteligjencës artificiale për të ruajtur një avantazh në fushën e betejës, ndërsa lufta me Rusinë hyn në një fazë të re teknologjike.
Në një intervistë me Associated Press, Danylo Tsvok, kreu i Qendrës së Inteligjencës Artificiale të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës, tha se Inteligjenca Artificiale po e ndihmon Ukrainën të mbajë pozicionin e saj, duke zvogëluar rreziqet për ushtarët.
“Ne duhet të jemi më të shpejtë se armiku në vendimmarrje. Kjo do të thotë që ne po e transformojmë ushtrinë tonë si një ushtri të drejtuar nga inteligjenca artificiale, kështu që ky lloj zgjidhjeje ofron shumë mundësi për të kuptuar se si dëshiron të lëvizë armiku, për të kuptuar se si dwshiron të veprojë armiku dhe ne duhet të jemi disa hapa përpara për të marrë këto lloj vendimesh” – tha ai.
Tani në vitin e pestë të luftës, Ukraina dhe Rusia janë të bllokuara në një garë në intensifikim për të vendosur sisteme gjithnjë e më të automatizuara, nga dronët ajrorë te platformat tokësore dhe detare.
Në qendër të kësaj gare është aftësia për të vazhduar operacionet nën luftë të rëndë elektronike. Sektori vendas i armëve në Ukrainë, i cili po zgjerohet me shpejtësi, tani përfshin më shumë se 2,000 prodhues dhe firma të teknologjisë ushtarake.
Zhvilluesit kanë testuar mjete që mundësojnë sulme të koordinuara të droneve, duke synuar të rrisin efikasitetin, duke lehtësuar njëkohësisht barrën mbi operatorët njerëzorë.
Ukraina po thellon partneritetet me aleatët perëndimorë dhe shtetet e Gjirit për të siguruar fonde, për të shkallëzuar prodhimin dhe për t’u integruar në aleancat e sigurisë, ndërsa gjithashtu po hap qasje në të dhënat e saj të gjera të fushës së betejës.


