VLORË- Në një moment vendimtar për fatin europian, raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, rikonfirmoi ambicien për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda 2029, sipas një plani të dakordësuar mes Tiranës dhe Brukselit.
“Anëtarësimi në BE kërkon që të keni një standard jetese, sidomos këtu për të rinjtë që të integrohen me mënyrën e jetesës së Unionit. Ky nuk është vetëm projekt i qeverisë, por i të gjithëve, duke nisur që nga qytetarët që duhet të tregojnë se çfarë po shkon mirë dhe çfarë po shkon keq. Sa më shpejt, aq më mirë, por edhe pse nuk duhet të jap një datë specifike, dua thjesht të them që si relator dua që në fund të mandatit tim, pra në vitin 2029, të them që Shqipëria do t’i bashkohet BE-së”, tha Andreas Schieder, raportuesi për Shqipërinë në PE.
Shqipëria synon që brenda këtij viti të mbyllë deri në 16 kapituj, në mënyrë që brenda 2027 të përfundojë i gjithë procesi teknik. Por sfidë mbetet procesi politik, ku anëtarësimi duhet të ratifikohet në parlamentet e 27 vendeve anëtare.
“Duam të jemi besimplotë se do ecin mirë në të gjitha vendet anëtare, por duhet të jemi të vetëdijshëm se peizazhi politik në Europë po bëhet gjithnjë e më kompleks, me një prani të dukshme të partive populiste në parlament, sidomos të së djathtës ekstreme, që mund të kenë tundime kundër zgjerimit. Është e rëndësishme të punohet me opinionet publike në Europë, në mënyrë që të zvogëlohen perceptimet që qytetarët kanë për zgjerimin. Nuk jam i shqetësuar për Spanjën, që sipas sondazheve të fundit ka një nivel të lartë pranimi për zgjerimin. Që do të thotë, ne spanjollët duam që Shqipëria dhe vendet e tjera të jenë së bashku në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ambasadori i Spanjës në Tiranë, Gabriel Ventura.
Përveç Spanjës, në krah të Shqipërisë, në procesin e integrimit do të qëndrojë edhe Franca.
“Në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, askush nuk mund të dyshojë se Shqipëria ka kryer hapa gjigantë. Franca nuk harron gjithashtu forcën e angazhimit të Shqipërisë kur ishte në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, nuk ishte vetëm një vendim, ishte një demonstrim, ai i një kombi të aftë të përcjellë vlerat e paqes dhe drejtësisë kombëtare në nivelin më të lartë. Franca është përkrah jush, jo për t’ju numëruar hapat, por si një partner rruge që e di që forca e një bashkimi nuk matet vetëm në ditën e nisjes dhe ditën e mbërritjes, por në solidaritetin e lidhur në çdo kilometër të kryer së bashku”, tha Catherine Suard, ambasadore e Francës në Tiranë.
Ky vit konsiderohet vendimtar për Shqipërinë, e cila duhet të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe të mbyllë 33 kapituj të negociatave vitin e ardhshëm, në përmbushje të angazhimit për anëtarësim me të drejta në Bashkimin Europian brenda 2030./abcnews.al


