Sektori i ndërtimit ka pësuar rritje krahasuar me një vit më parë. Sipas Institutit të Statistikave nga muaji Prill deri në Korrik të këtij viti janë dhënë 37,1 përqind leje ndërtimi më shumë krahasuar me të njëjtën peridhë të vitit 2017.
Është rritur numri i lejeve të ndërtimit në tremujorin e dytë të këtij viti. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se janë miratuar gjithsej 270 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 197 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rritje prej 37,1 %.
50,6 përqind e këtyre lejeve janë për ndërtim për banim, 37, 8 përqind për ndërtesa të tjera jo rezidente, dhe pjesa tjetër 11, 6 përqind për punime inxhinierike.
Qarku që ka dhënë më shumë leje është Tirana, e ndjekur nga Durrësi dhe Fieri. Qarku që renditet i fundit në tabelën e publikuar nga Instituti i Statistikave është Kukësi ku është dhënë vetëm një leje ndërtimi.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2018, është rreth 292.895 m2, nga rreth 229.387 m2 miratuar në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rritje prej 27,7 %.
Rënie ka pësuar vlera e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike. Në tremujorin e dytë 2018, është 11.4 miliardë lekë, nga 14.1 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rënie prej 19,1 %./abcnews.al