“Instalacioni shpenzim luksi,” eksperti i ekonomisë: Rritjen e çmimit të energjisë për bizneset do ta vuajnë qytetarët

schedule19:53 - 14 Shtator, 2022

schedule 19:53 - 14 Shtator, 2022

Shpenzim luksi në kohë krize. Kështu i ka cilësuar Mateo Spaho, ekspert i ekonomisë planet për ndërtimin e një instalacioni druri që do të kushtojë 3.7 milion euro në oborrin e kryeministrisë.

Për më tepër, ai shtoi se qeveria nuk po merr të gjitha masat e duhura për të zbutur krizën.

“Nevoja nuk është vetëm monetare, por duhet edhe rregullatorë për qytetarët. Nuk po bëhen ato reforma që duhen për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve,” u shpreh Spaho në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC.

Ndërsa, duke u ndalur te indeksimi i pensioneve, eksperti i ekonomisë thotë se fakti që përmendet tani, do të thotë që më herët pensionet nuk janë indeksuar.

“Inflacioni i shportës është mbi 10 për qind. Rritja me 6 për qind do të thotë ulje e fuqisë blerëse për pensionistëve me 4-5 për qind. Vetë INSTAT, ka thënë qe në gusht rritja e inflacionit ka qenë me mbi 8 për qind. Dhe pritet të shkojë mbi 10 për qind deri në fund të vitit.”

Po ashtu, ai shpjegoi se pavarësisht rritjes së pagave minimale, qytetarët shqiptarë do duhet të nxjerrin nga xhepat e tyre rreth 1 miliardë euro.

Dhe shteti, shton ai, “po mbulon 5 për qind të faturës dhe 95 për qind po ua le qytetarëve peshqesh.”

Kurse, duke u ndalur tek energjia elektrike dhe deklaratat që kryeministri Edi Rama ka bërë shpesh për faktin që rritja e çmimit nuk prek familjet. Spaho thotë se e kundërta është e vërtetë.

“Do të ketë rritje të mëtejshme, sepse bizneset konsumojnë mbi 800 KWH, energji dhe produktet do te prodhohen me më shumë kosto. Do të rritet 4.4 fish kostoja dhe do të shkarkohet fatura te produktet e tyre përfundimtare.”

Nga kjo krizë ajo që do të preket më shumë është shtresa e mesme. Eksperti i ekonomisë sqaron se inflacioni do të godasë kursimet e tyre.

“Qeveria ka vënë në dispozicion rreth 200 milionë euro, për faturat për energji të importuar, shqiptarët e kanë paguar vetë subvencionin e shtetit. Shtresa e mesme goditet, sepse elementi i parë është konsumimi i energjisë elektrike. Elementi tjetër ka lidhje me produktet e shportës. Edhe kurset apo palestrat dhe të gjitha aktivitetet qe bëjnë fëmijët tanë, do të konsumojnë mbi 800 KWH dhe çmimet do të rriten. Inflacioni godet kursimet e familjeve të shtresës së mesme. Kursimet në banka do të zhvlerësohen. Paratë tuaja vlejnë 8 për qind më pak se viti i shkuar. Shtresa e mesme kërkon të kurseje me mundimet e veta dhe duke kursyer të vendosë një farë pasurie. Shtresat e larta i godet inflacioni shumë pak.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!