Instagram do të bllokojë disa postime të personave të famshëm si Kim Kardashian apo Cardi B. Në fakt, aplikacioni ka vendosur që të bllokojë të shfaqen për përdoruesit nën 18 vjeç postimet për kirurgjinë plastike dhe produktet që shërbejnë për humbjen e peshës.
Kjo lëvizje është një përpjekje e re që Instagram po bën për të ndaluar këto përmbajtje që lidhen me dietat, detoksifikimin dhe kirurgjinë kozmetike.
Kompania, e cila zotërohet nga Facebook, ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga ekspertët e shëndetit. Sipas këtyre të fundit, postime të tilla kanë impakt tek shëndeti mendor dhe imazhi i trupit tek të rinjtë.
Sipas rregullave të reja, këto produkte të cilat reklamohen për t’u shitur ose kanë çmim në postim, do të fshihen për përdoruesit që janë nën moshën 18-vjeçare.
Reagimi i përdoruesve në lidhje me këtë çështje ka qenë i menjëhershëm. Jameela Jamil, aktiviste dhe aktore, tha se kjo është një fitore. Ajo njihet për kritikat e vazhdueshme ndaj të famshmëve në rrjetet sociale, duke përfshirë Khloe Kardashian për postimet e saj në lidhje me produktet e dietave./abcnews.al