Infektohet me koronavirus punonjësi, stafi i NATO-s punon nga shtëpia

schedule14:42 - 9 Mars, 2020

schedule 14:42 - 9 Mars, 2020

Një punonjës në selinë e NATO-s në Bruksel është vetë-karantinuar në shtëpi pasi u testua pozitiv me koronavirusin, konfirmoi të hënën një zëdhënës i NATO-s.

Ai kishte pushuar së fundmi në veri të Italisë dhe ishte testuar pasi pati ethe dhe nuk ndihej mirë në fund të javës së kaluar. Pjesa tjetër e stafit kishin punuar nga shtëpia që në fund të javës së kaluar dhe vazhdojnë po me ketë formë.

NATO tha se po inkurajon të gjithë stafin e Brukselit që të punojnë nga distanca dhe se “vizitat në grup” në zyrën e saj qendrore janë pezulluar. Disa udhëtime të stafit gjithashtu janë anuluar.

Sidoqoftë, aleanca e Atlantikut të Veriut insistoi se këto masa paraprake nuk do të prishin punën pasi selia ka marrë masa dhe plane të fuqishme, duke siguruar që puna të vazhdojë.

“Për të rritur sigurinë e stafit, NATO tashmë ka ndërmarrë masa parandaluese në selinë tonë, bazuar në udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetit, për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së mëtejshme të infeksionit. Këto përfshijnë pezullimin e përkohshëm të udhëtimeve të caktuara të stafit, inkurajimin e stafit për të punuar nga shtëpia dhe pezullimin e përkohshëm të vizitave në grupe në selinë e NATO-s në Bruksel. Ne mbetemi në kontakt të ngushtë me autoritetet belge. NATO ka masa dhe plane të fuqishme të vazhdimësisë së biznesit, duke siguruar që puna jonë thelbësore të vazhdojë.”- ka njoftuar NATO. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!