Mbrëmjen e së enjtes protesta e banorëve të Unazës së Re u shoqërua me tensione. Sipas një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, në faqen e Partisë Demokratike, citohet se një makinë ka sulmuar banorët të cilët po protestonin si çdo mbrëmje.
Mjeti që drejtohej nga një shtetas i paidentifikuar, thuhet në njoftimin për media të PD-së hyri mes turmës ku kishte edhe gra me fëmijë. Policia e cila ndodhej shumë pranë vendit të ngjarjes nuk ka ndërhyrë, duke qëndruar indiferente, vijon njoftimi.
Prej disa muajsh banorët e Unazës së Re janë në protestë për të kundërshtuar projektin i cili ka në plan prishjen e shtëpive dhe bizneseve të tyre. Ata shprehen se ky projekt është korruptiv, e për këtë duhet anuluar. /abcnews.al