Ambientet e reja të Drejtorisë Vendore dhe Komisariatit të Policisë Berat u inauguruan të enjten, në një investim prej 253 milionë lekësh të qeverisë shqiptare.
Gjatë inspektimit, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, tha se investimi synon jo vetëm përmirësimin e kushteve të punës për efektivët, por edhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Ai theksoi se ambientet për pritjen dhe intervistimin e të miturve janë ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare.
Lamallari vlerësoi gjithashtu situatën e sigurisë në qarkun e Beratit, duke e cilësuar atë një faktor të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë. Ai bëri të ditur se në fokus të diskutimeve ishin edhe masat për sezonin turistik dhe zbatimi i rregullave për kufizimin e zhurmave.
I pyetur për lajmet që qarkulluan në disa portale mbi një dorëheqje të tij të mundshme, ministri i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se mbetet i angazhuar në detyrë.
/abcnews.al/


