Imami: Vllaznia ndryshe, kur pësohen gola s’e ka fajin vetëm mbrojtja

schedule16:59 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 16:59 - 4 Dhjetor, 2020

Vllaznia është ndryshe nga vitet e tjera, kështu mendon Eni Imami. Mbrojtësi ka dalë sot para mediave dhe fillimisht vë në dukje pikërisht këtë gjë dhe më pas kalon te përballja me Bylisin, problemet në mbrojtje dhe “ftohjen” me tifozët gjatë merkatos, për shkak se në një moment devijoi dhe ishte pranë firmës me Vllazninë.

“Duket një ndryshim i madh këtë vit te Vllaznia. Nga vitet e tjera, çfarë kam parë si kundërshtar, e shoh ndryshimin. Po e shijoj këtë moment, sidomos tani që kemi nisur mirë sezonin dhe jemi në vend të parë”, tha Imami fillimisht, ndërkohë që më pas kalon te Bylisi.

“Gjithë ekipet janë ambicioze dhe duan maksimumin. Do futemi në fushë për tri pikë kundër Bylisit. Ne do tentojmë fitoren, por jo me çdo kusht. Do tentojmë fitoren, por varet çfarë ndodh në  fushë”, shton mbrojtësi kryeqytetas i Vllaznisë. Me Kukësin shkodranët gabuan në prapavijë dhe Imamit ia kujtojnë diçka të tillë.

“Nuk është problemi te mbrojtja, se e dëgjoj shpesh këtë gjë. Nëse pësohet gol nuk e ka fajin vetëm mbrojtja. Mbrojtja fillon nga sulmi, këtë e kemi hasur në analizë. Problemet disa herë kanë ardhur nga sulmi, duke u pësuar më pas goli. Nuk ka bërë keq treshja jonë, unë, Gurishta dhe Adili. Uroj që të përmirësohemi më shumë”, u përgjigj Imami.

Në fund, i pyetur nëse po i fiton zemrat e tifozëve pas ftohjes prej lajmeve që e çonin te Partizani, mbrojtësi tha: “Uroj t’i fitoj tifozët për vete, po edhe për ekipin. Këto janë gjëra që ndodhin në jetë. Tani jam pjesë e Vllaznisë dhe nuk kam në mendje asnjë ekip tjetër, jap maksimumin këtu. Dua të arrijmë objektivat, minimalja Kupat e Europës dhe më pas shohim për të ardhmen”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!