Imami: Duam fitoren, të shënojë kush të dojë. Ka një shkak pse kemi rënë pak

schedule11:59 - 26 Shkurt, 2021

schedule 11:59 - 26 Shkurt, 2021

Eni Imami beson te fitorja ndaj Tiranës, si të gjithë në Shkodër. Vllaznia pret bardheblutë e Shehit në shtëpi ditën e nesërme, sfidë e rëndësishme për ecurinë dhe objektivat e dy skuadrave. Mbrojtësi i kuqebluve kryesues, Eni Imami flet rreth ndeshjes, teksa prek edhe tema të tjera në prononcimin për mediat.

SITUATA – “Të them të drejtën, jemi zhgënjyer pak nga barazimi me Skënderbeun. Prisnim fitore por këto janë gjëra që ndodhin në sport. Kemi fituar ndeshje që njerëzve nuk ia u merrte mendja se do e bënim, dhe kemi lënë pikë aty ku nuk duhet. Gjithsesi, unë kam besim se jemi në pozicion të mirë për të pritur Tiranën nesër dhe do dalim me tri pikë”.

SFIDA SI “ISH” – “U bë e disata ndeshje që po luaj kundër ‘Tironës’. Kisha pak emocion në ndeshjen e parë kundër Skënderbeut, por tani kanë ikur. Jo, nuk kam emocione për nesër. Sigurisht është kënaqësi të përballem me ta, por vetëm aq”.

ATMOSFERA – “Ka ndikuar edhe pak për keq, sepse, të them të drejtën, na shpallën kampionë para kohe. Na dha një farë vetëkënaqësie ne futbollistëve, prandaj është kjo rënia kështu. Veç kësaj pjese, njerëzit këtu janë të mrekullueshëm dhe e dashurojnë me të vërtetë sportin. Përgatitjet e pragndeshjes në stadiumin me banderolë kanë qenë shumë të bukura”.

KUNDËRSHTARI – “Unë kam qenë dy vjet pjesë e Tiranës dhe e di që pretendimet e tyre do jenë deri në javën e fundit të kampionatit. Duke ditur këtë gjë, kemi vlerësimin maksimal për Tiranën, si unë dhe stafi”.

TITULLI – “Unë kam thënë edhe kur kemi qenë nëntë pikë para se kampionati është i gjatë dhe i vështirë. Një fitore nesër na jep besim dhe moral por që të thuash se na shpall kampion, nuk e them dot”.

ALEANCAT – “Unë nuk e di nëse janë bërë aleanca këtë vit në kampionatin shqiptar. Ne do bëjmë punën tonë dhe çfarë të jetë më pas. Goli? Të gjithë e duan, do ishte perfekte, por le të shënojë kush të dojë, mjafton që të marrim fitoren”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!